Ngërçi me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, deklarata e fortë e deputetit të PD

0
748

Partia Socialiste po shfrytëzon boshllëkun kushtetues për të kapur kryeprokurorin e ri. Kështu deklaroi sot deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.

Sipas tij, duhet të krijohet njëherë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që kryeprokurori i ri të mos i shmanget as vetingut. Sa për votimin në Parlament, Bylykbashi tha se ai duhet të zgjidhet me 3/5 e votave.

“Synohet të kapet kryeprokurori nëpërmjet shfrytëzimit të boshllëkut kushtetues. Pas 1 shtatorit zgjedhja e tij duhet të bëhet me 3/5”, tha ai.

Ngërçi që krijohet për zgjedhjen e Kryeprokurorit ka të bëjë me mosngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili sipas Kushtetutës ka si kompetencë deklarimin e mbarimit të mandatit të Kryeprokurorit, por njëherazi i propozon Kuvendit edhe 3 kandidaturat për këtë pozicion.

OPDATE dhe EURALIUS përmes një dokumenti të publikuar pak kohë më parë nga BalkanWeb i janë referuar dispozitave tranzitore për zgjedhjen e Kryeprokurorit, duke sugjeruar zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. PS duket e vendosur të shkojë drejt kësaj linje, ndërsa opozita e ka kundërshtuar.

Por çfarë parashikon neni 148 i Kushtetutës?

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit tre kandidatët më të kualifikuar dhe ia përcjell Kuvendit, sipas ligjit.

Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune, me integritet të lartë moral dhe profesional, që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi. Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Nëse Kuvendi nuk zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.

Pas përfundimit të mandatit dhe me kërkesë të tij, Prokurori i Përgjithshëm emërohet në detyrën e mëparshme ose gjyqtar në gjykatën e apelit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here