Qeveria Rama ll duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të Ujësjellësave. Me anë të një urdhri që mban firmën e Kryeministrit kërkohet që të ngrihen grupe pune të cilat do të verifikojnë detyrimet e institucioneve buxhetore dhe më pas edhe të punonjësve të administratës. Në urdhër thuhet se të gjitha ato institucione që rezultojnë me detyrime apo pa kontrata duhet të nisin menjëherë procedurat për të likujduar borxhet dhe kanë afat 30 ditë. Në urdhër kërkohet që një masë e tillë të merret edhe për punonjësit e administratës.
Të gjitha Ministritë apo institucionet e tjera buxhetore që nuk kanë kontratë, nuk paguajnë rregullisht apo kanë detyrime të prapambetura me shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve duhet të nisin shlyerjen e tyre brenda 30 ditëve.
Urdhri i nxjerrë nga kryeministri Edi Rama mban datën 13 të këtij muaji dhe kërkon që në rast të konstatimit të Ministrive apo institucioneve që nuk kanë kontratë të merret masë e menjëhershme e paisjes së tyre me kontratë si dhe të nisë diskutimi me shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve për të shlyer detyrimet e prapambetura.
Ky urdhër vjen në kuadër të aksionit të nisur nga qeveria për të rritur arkëtimet nga Ujësjellësat si dhe për të ulur humbjet në rrjet.
Po ashtu në urdhër sanksionohet që brenda datës 15 të çdo muaji në bashkëpunim me shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve të raportohet në lidhje me pagesat e punonjësve të administratës të cilët duhet të dorëzojnë librezat.
Ndërsa parashikohet që të gjenden gjithashtu mënyra lehtësuese në rastet e konstatimit të borxheve të prapambetura tek punonjësit e administratës.
Aksioni i qeverisë kundër informalitetit në sektorin e ujit nisi në nëntor dhe synon që brenda 2018 të pajisë me kontrata të gjithë abonentët.