Thursday, December 26, 2024
Home Politikë Manjani zbulon shkeljet e kryeprokurores Marku

Manjani zbulon shkeljet e kryeprokurores Marku

0
1127

Një nga qëllimet kryesore të Reformës në drejtësi ishte shkatërrimi i koporatizmit. Dmth e mbrojtes që gjyqtarët e prokurorët i bënin vetes.

Kjo nuk lejonte ne fakt suksesin e inspektimeve që bëheshin si nga Ministri i Drejtësisë ashtu edhe nga KLD apo Prokurori i Përgjithshëm. Mbi 80% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të proceduar pas inspektimeve nuk ju hyri gjëmb në këmbë, sepse kolegët e tyre i mbrojtën!

Reforma në drejtësi duhet ta mbyllte këtë epokë, por e filloi me të njëjtin avaz!

Zgjedhja e Znj Arta Marku në krye të Prokurorisë është avaz i vjetër i marrjes në mbrojtje të prokurorëve që kanë sjellë këtë “prokurorinë e keqe “ që kemi sot!

Zonja Marku e proçeduar më parë nga Ministri Alibej, ja hodhi paq pasi u mbrojt nga koleget e saj. Ajo u procedua për një shkelje shumë të rëndë: mbajti në burg pa ligj një shtetas!!!

Heqja e lirisë pa vendim është dhunim kushtetues i të drejtave të njeriut! Ndoshta prandaj dhe u betua në mikrofon dhe jo në Kushtetutë!!!

Dje më ka ardhur një denoncim tjetër nga Shkodra. Zonja V.O pronare e një toke në Shkodër gjendet sot pa asnjë mundësi për ta shfrytëzuar atë tokë. Mbi të është vendosur tashmë një pallat plot 11 kate.

Nuk ka asnjë dokument që të provojë se pronarët të kenë rënë dakort. Ndërtuesi, si gjithmonë, i fuqishëm siguron edhe lejen por edhe drejtësinë.

Prokurorët, përfshi edhe zonjën Arta Marku, nuk panë asnjë vepër penale në këtë rast. Pavarësisht se drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës Zoti Granit Shahu e kishte udhëzuar prokuroren Marku të hetonte thellë, kjo e fundit e pushoi çështjen sapo doli ligji i ri ku prokurorët nuk merrnin më urdhezime nga eprorët!

Hile e njohur kjo në këtë kohë tranzicioni. Edhe zonja Prokurore e Përgjithshme e paska shfrytëzuar!

Si këto raste ka edhe të tjera, jam i sigurtë. Une i ftoj të gjithë ti denoncojnë tek struktura e Vetting!

Por çështja për publikun është: a mund të drejtojë prokurorinë një prokuror që deri më sot ka kontribuar në krijimin e së keqes?!

Me tej akoma, të gjithë ata që kërkojnë hetim të korrupsionit, a mund tja bëjnë këtë një Prokurori/je që ka refuzuar të hetojë një pushtim toke evidente?! Po e njëjta prokurore ka mbajtur dikë tjetër në burg pa ligj!

Ky është kulmi i shkeljes së Kushtetutës! Zaten po të kishte merak Kushtetutën, zonja nuk duhet të kandidonte, pavarësisht ftesës së miqve të saj deputetë Rilindas!

Ja pra ku është goditur zemra e reformës. Emërime të tilla nuk ngjallin as besim e as shpresë se do të kemi Prokurori më të mirë!

Ato nxisin korporatizmin dhe konfirmojnë dyshimin publik se prokuroria do ti shërbejë qeverisë e jo shoqërisë!

Në të shkuarën thuajse të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm erdhën nga jashtë prokurorisë. Kjo i avantazhoi ata për të mos mbajtur përgjegjësinë e prokurorëve hileqarë!

Zonja Marku është njëra prej prokurorëve të zakonshëm e hileqarë! Ndaj ajo ska se si të dalë kundër hileve të kolegëve të saj!

Prandaj KLP do te duhet të eksplorojë kandidatë të tjerë me integritet dhe tja dorëzojë zonjën Marku Vettingut!

P.S ky arsyetim vlen edhe për ata të huaj që po marketojnë zonjën si zgjidhje të mënçur…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here