Pas sinjalizimit për sulmin me tritol, policia ka shkuar shpejt në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave si dhe identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një fitil zjarr përcjellës me gjatësi 8 cm. Sipas hetuesve të çështjes, në oborrin e vëllezërve Paja u vendos një sasi prej rreth 200 gram tritol i llojit C4.
Vendi ku u vendos ekplozivi
Ndërkaq, ekspertët sqaruan se për fatin e mirë të familjes Paja, tritoli nuk ka qenë i puthitur mirë, pasi në rast të kundërt mund të ishin shembur dhe banesat e tyre. Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka marrë në pyetje vëllezërit Paja, ku njëri prej tyre, Frani është shef i financës në Drejtorinë e Patentave në Shkodër. Ata kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd.
Fran Paja është shprehur se nuk e di arsyen e vendosjes së tritolit në oborrin e banesës së tij, pasi nuk ka probleme me persona të tjerë. Gjithashtu, ai ka pohuar se nuk ka dyshime se vendosja e tritolit lidhet me punën që bën çdo ditë te patentat si shef i financës. Pavarësisht deklaratave, blutë e qytetit verior po hetojnë në dy pista. Për konflikte të mundshme personale që mund të kenë pasur vëllezërit Paja me persona të tjerë, por edhe me detyrën e Fran Pajës.
Ndërkaq, kunata e këtij të fundit, File Paja u shpreh dje në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se ngjarja nuk ka lidhje me pozicionin e punës së Franit, pasi ai nuk ka pasur konflikte me ndonjë person. Ajo tregoi me detaje momentet e tmerrshme të shpërthimit me tritol.
Kur ndodhi shpërthimi me eksploziv?
Ne ishim të gjithë në gjumë, kur rreth orës 01:40, nuk e mbaj mend fiks, dëgjuam një shpërthim shumë të fortë. Dëgjuam një përplasje të fortë në xhamat e ndërtesës ku jetojmë. Unë menjëherë u çova me shpejtësi, sepse kam një bombol gazi në banesë dhe fillimisht mendova se mos vallë shpërtheu bombola e gazit. Kur pashë se s’kishte lidhje me bombolën e gazit, i thirra djalit: Ku je, ku je?! Ai u ngrit menjëherë dhe ka dalë me shumë shpejtësi jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Më pas dola dhe unë.