Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur në presidencë 30 gjimnazistë dhe mësues nga Krusha e Madhe e Rahovecit. Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se Krusha e Madhe e Rahovecit përjetoi një nga masakrat më çnjerëzoret që u martirizua në emër të lirisë e pavarësisë së Kosovës dhe se ai ruan kujtime mbresëlënëse nga vizita e dy viteve më parë në shkollën e tyre.
Statusi i plotë:
Sot pata kënaqësinë e veçantë të prisja në Presidencë dhe më pas të kaloja një drekë të këndshme e interaktive me 30 gjimnazistë e mësues të tyre, nga Krusha e Madhe e Rahovecit, që përjetoi masakra nga më çnjerëzoret dhe që u martirizua në emër të lirisë e pavarësisë së Kosovës.
Ende ruaj kujtime mbresëlënëse nga vizita ime e dy viteve më parë në shkollën e tyre që mban emrin e ndritur “Ukshin Hoti” dhe ndihem shumë i lumtur që sot këta të rinj e të reja, me rezultate të shkëlqyera në mësime janë miqtë e mi.
Bashkëpunimi i të rinjve të ditur do t’i japë mundësi më të mëdha për zhvillim vendeve tona dhe kombit tonë.