Shqipëria: Greqia po ndërhyn në punët e brendshme

0
1094

Tirana zyrtare nuk e ka pritur mirë ndërhyrjen e Greqisë në çështjen ende të pashqyrtuar të ish-Ministrit Tahiri, duke i cilësuar komentet e Athinës si një shkelje të hapur të parimit të fqinjësisë së mirë. Në një komunikatë për mediat, Ministria e Jashtme e Shqipërisë vlerëson se retorika e homologëve helenë ishte provokuese dhe përbën një ndërhyrje të paprecedentë në debatin e brendshëm të një shteti tjetër.

Për Tiranën zyrtare, komentet e Ministrisë së Jashtme të Greqisë në lidhje me çështjen nën shqyrtim të ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, përbëjnë një shkelje të rëndë për parimin diplomatik të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

Në një reagim për mediat, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, ka shprehur indinjatën e thellë ndaj asaj që e quaj gjuhë provokuese dhe ndërhyrje e paprecedentë që u manifestua në komunikatën që u lëshua më datë 19 tetor.

Tirana zyrtare dënon gjithashtu edhe lidhjen që u synua të krijohej mes rastit në fjalë dhe situatës në Himarë.

Sipas diplomacisë shqiptare, kjo tentativë përbën një deformim të realitetit dhe cënim të frymës së bashkëjetesës e bashkëpunimit me pakicat në Republikën e Shqipërisë.

Më herët, Athina zyrtare përmes një shkrese deklaroi se “shkakton shqetësim ndërlidhja e mundshme e krimit të organizuar me skenën politike të Shqipërisë, siç rezulton nga arrestimi i kreut të një grupi të trafikut të drogës, që është dhe i afërm i njerit prej ish ministrave më kryesorë të qeverisë Rama.”

Duke vijuar më tej, Ministria e Jashtme e Greqisë, theksoi se edhe minoriteti grek po trajtohet me arbitraritet nga Tirana zyrtare.

Megjithatë, këto prononcime nuk janë pritur mirë nga diplomacia shqiptare.

Tensionet e fundit mes dy vendeve, vijnë në një kohë kur pritet një takim i Ministrit Bushati me homologun Kotzias ku do të flitet për çështjet e mprehta.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here