Pozita gjeografike e Greqisë në pikën ku takohen tre kontinente dhe një portë midis Lindjes dhe Perëndimit, e bën atë një rrugë kryesore për tregtinë botërore të drogës, tregu më fitimprurës kriminalë ndërkombëtar dhe ajo që përbën pothuajse gjysmën e të ardhurave të krimit të organizuar në mbarë botën.
Kreu i Departamentit të Prokurorisë së Policisë së Atikës, Kostas Panagiotopulos, në një raport të lëshuar të dielën, bisedoi me “AMNA” rreth rolit të Greqisë në tregtinë ndërkombëtare të drogës dhe rrugët e përdorura për të transportuar drogë nga vendet ku ato janë prodhuar në Evropë.
“Greqia është një vend që prodhon sasi të vogla të kanabisit dhe një vend destinacioni të sasive nga jashtë për konsum të brendshëm, por edhe për transportimin e substancave në vendet e BE-së, kryesisht nga Shqipëria”.
Për heroinën, në veçanti, Greqia është një nga vendet kryesore të tranzitit për sasitë e dërguara në Evropë, si dhe një vend destinacioni për konsumin e brendshëm. Një numër i madh grekësh janë të përfshirë në trafikimin e heroinës në vend, e ndjekur nga shqiptarët.
Agjencia greke lajmeve “AMNA”, shkruan se Shqipëria fqinje është një “pikë grumbullimi” për heroinën, e cila transportohet më pas nga grupet kriminale shqiptare në destinacione të ndryshme, përfshirë Greqinë.
Megjithatë, ka një përfshirje të konsiderueshme të shtetasve grekë në përgatitjen dhe “prerjen” e heroinës. Shtetasit afganë dhe pakistanezët janë gjithashtu të përfshirë shpesh në trafikimin e heroinës, ndërsa prodhimi, trafikimi dhe konsumimi janë rritur ndjeshëm në Afrikë.
Një shumëllojshmëri e metodave dhe mënyrave të transportit përdoren për të kontrabanduar drogën përtej kufijve, me sasitë më të mëdha të lëvizura nga vendet ku prodhohet (Afganistani, Taxhikistani dhe Pakistani) nëpërmjet Turqisë dhe më pas duke ndjekur tre rrugë alternative për të hyrë në Evropë. Italia është destinacioni më jugor, qoftë përmes Greqisë apo Ballkanit.
Kur vjen puna te kokaina, pikat hyrëse të drogës në Evropë janë portet në Atlantik, Belgjikë, Holandë, Spanjë dhe Portugali, ku Greqia dhe Italia luajnë një rol dytësor. Grekët kanë një rol të kufizuar në tregtinë e kokainës, megjithëse përfshirja shqiptare po rritet vazhdimisht në këtë fushë.
Shqipëria është bërë një pikë kryesore e shpërndarjes për kokainën e destinuar për tregjet evropiane dhe përdoret si një vend ruajtës.
Grupet kriminale bashkëpunojnë me homologët e tyre në Amerikën Latine dhe Karaibe dhe krijojnë kompani si “fronte” për të lehtësuar transportimin e drogës me mallrat e tyre dhe për të legalizuar të ardhurat e tyre.
“Edhe më marramendës është shumëllojshmëria e automjeteve dhe metodave që përdoren për të importuar kanabis në Greqi”, tha Panagiotopulos, që variojnë nga makinat dhe kamionët privatë e deri tek kutitë postare. Grupet kriminale të përfshira në tregtinë e kanabisit janë kryesisht grekë, ndërsa shqiptarët janë grupi tjetër më i përfaqësuar.
Sipas zyrtarit të lartë të policisë greke, pjesa më e madhe e kanabisit të prodhuar në Evropë ka ardhur nga Shqipëria nëpërmjet Greqisë dhe Italisë.