Altin Basha: Mirela Kumbaro një fatkeqësi për artin dhe kulturën, sjellja e saj ndaj artistëve është arrogante dhe injorante

0
1077

Me shfaqjen “Made in Albania” regjisori Altin Basha u shpall Regjisori i Vitit. Një vlerësim që vjen në vijim të projekteve të tij me teatrin dhe këtë herë është me një vepër shqiptare. Një tekst i dramës shqipe, që pasi u refuzua për mbështetje nga Ministria e Kulturës rezultoi më pas i suksesshëm si projekt i pavarur. Këtë sezon artistik regjisori Altin Basha vijon me projektin teatror “I ligu për mend” këtë herë një bashkëpunim me aktorët e teatrit në Kosovë. Për regjisorin Altin Basha është e njohur përpjekja e tij për afirmimin e dramës shqipe. Në intervistën për “SOT” regjisori shprehet se mban bindjen se nuk i është dhënë kurrë vëmendja e duhur dramës shqipe dhe se ajo akoma mbetet një hapësirë e pazbuluar për artistët dhe publikun shqiptar. Një jetë artistike që vijon me projekte me teatrin, por për regjisorin e njohur Altin Basha komuniteti i artistëve është lënë pa mbështetje, ku sipas tij arroganca është një tipar i ministres së Kulturës. Ai pohon se bën pjesë në atë grup artistësh, që mendojnë se ministrja Kumbaro është një fatkeqësi për artin dhe kulturën kombëtare.

-Regjisori më i mirë i vitit nga çmimet “Kult” me shfaqjen “Made in Albania”, që ju sollët premierë në skenën teatrore. Në vlerësimet tuaj si regjisor, ky çmim për ju sa ka rëndësi?

Pa dyshim që vlerësimi si Regjisori i Vitit ishte i mirëpritur, sepse është një çmim që vjen si rezultat i një votimi kolegësh. Rëndësinë e vërtetë ky çmim e merr nga fakti që vjen për shfaqjen “Made in Albania”. Ky tekst dramatik i Stefan Çapalikut u paraqit si një projekt në “Netët e Leximit të Dramës Shqipe” me besimin se kjo iniciative e Teatrit Kombëtar ishte një përpjekje e sinqertë në mbështetje të dramës shqipe. Rezultoi që teksti dhe projekti i paraqitur u refuzua nga Bordi Artistik i përbërë nga 5 gazetarë. Pas refuzimit të dytë për mbështetje nga Ministria e Kulturës shfaqja u realizua si një projekt i pavarur. Suksesi i shfaqjes tek publiku i Tiranës, Durrësit dhe Prishtinës, vlerësimi në festivalin Ndërkombëtar të Dramës Nacionale në Tetovë, Maqedoni ku u vlerësua si “Shfaqja më e Mirë” dhe vlerësimi i fundit në çmimet KULT si “Regjia e vitit” provojnë se Bordi i TK mbetet një bord njerëzish të paaftë për vendime të karakterit artistik. Ky bord që bën një punë që nuk e njeh dhe sa më shpejt të largohet aq më mirë do jetë për funksionimin e repertorit të Teatrit Kombëtar. Nuk po merrem me Ministrinë e Kulturës se aty më së pakti ka ekspertë arti.

-Në skenën e teatrit, projekti juaj më i fundit është shfaqja teatrore “I ligu për mend”, e cila pas premierës në Prishtinë erdhi dhe për publikun në Tiranë. Hera e tretë që ju bashkëpunoni me trupën e aktorëve të Teatrit Kombëtar në Kosovë. Pse kjo vepër këtë herë në punën tuaj?

Përpjekja ime publike për afirmimin e dramës shqipe është tashmë një fakt i njohur. Unë mbaj bindjen se ne nuk i kemi dhënë kurrë vëmendjen e duhur dramës shqipe dhe se ajo akoma mbetet një hapësirë e pazbuluar për artistët dhe publikun shqiptar. Gjithashtu promovimi i dramës shqipe mbetet një detyrim i të gjithë artistëve dhe institucioneve ndaj publikut, i cili paguan taksa për kulturën e tij kombëtare. “I ligu për mend” ishte një propozim i drejtuesve të TK Prishtinë (Agim Sopi dhe Agon Myftari), të cilët e kishin identifikuar këtë tekst bazuar mbi një model kroat promovimi të autorëve dhe të repertorit nacional. Projekti rezultoi një zbulim i bukurisë së gegërishtes dhe një kërkim i vërtetë krijues me stafin artistik, grupin e aktorëve dhe Luan Jahën në rolin qendror.

-Nga Teatri Kombëtar është pohuar për “Netët e leximit të dramës shqipe” se sllogani i Teatrit Kombëtar për sezonin 2017-2018, nëse cilësia e veprave të paraqitura do të përmbushë kërkesat artistike që kërkon skena më e madhe teatrore shqiptare do të jetë “Sezoni i dramës shqiptare në TK”. Në gjykimin tuaj, duke ditur situatën që ka qenë deri tani me dramën shqipe, shpresoni për ndonjë përmirësim?

Më vjen të qesh me këtë slogan, sepse në 4 vjet në skenën e Teatrit Kombëtar janë prodhuar 2 drama shqipe. Drejtori i Teatrit Kombëtar pak kohë më parë deklaroi se “skena e TK nuk është kosh plehrash për dramën shqipe”. Për çfarë arsye duhet të besojmë se këtë vit kjo gjë do të ndryshojë? Apo po afrohet koha e mandatit të drejtorit? Kohët e fundit në Teatrin Kombëtar ka një përpjekje që tezat kritike për punën dhe drejtimin skandaloz të këtij institucioni po merren dhe mbrohen nga drejtuesi i tij, duke u paraqitur si origjinale. Ata që shkaktuan problemet dalin në rresht të parë për ti zgjidhur ato. Është një sindrom i qeverisjes paraqitja e problemeve a thua se qeveria ishte në opozitë dhe jo në pushtet. Me sa duket ky sindrom ka kapur edhe drejtuesit e institucioneve.

-Keni qenë kritik ndaj Ministrisë së Kulturës në katër vite për atë që sipas jush nuk bëri për teatrin. Çfarë kërkoni këtë mandat të dytë nga ministrja Kumbaro?

Unë bëj pjesë në atë grup artistësh që mendojnë se Ministrja Kumbaro është një fatkeqësi për artin dhe kulturën tonë kombëtare. Ajo ministri nuk u bë kurrë një institucion i artistëve. Asnjëherë më shumë se në katërvjeçarin që kaloi artistët nuk janë ndjerë më të përjashtuar nga vendimmarrja dhe mbështetja shtetërore për projektet e tyre. Gjëja më ironike është se kritikave Kumbaro i përgjigjet me tezën se: kritikat i bëjnë mirë debatit dhe se ajo ka meritën për gjallërimin e tij. Në këtë pikë ka të drejtë, debatin e ka shkaktuar vërtetë Kumbaro, por nga paaftësia jo nga talenti. Dikush duhet t’ia thotë këtë gjë se la nam duke folur pa lidhje. Si ajo deklarata që bëri në festivalin “KOKO Fest” se: Teatri ka lindur në Korçë. Deklaratë që la me gojë hapur të gjithë artistët në sallë. Injoranca, arroganca ndaj komunitetit artistik dhe refuzimi për të përballuar problemet janë tiparet e sjelljes së saj si ministre dhe institucionit që ajo drejton. Gjatë drejtimit të saj artistët njohën uljen më të madhe të të ardhurave të tyre financiare. Nuk mund të flasim për vizion apo projekte afatgjata kur injorohen probleme akute si ky që përmenda më lart.

-Ju pohoni probleme për artin dhe kulturën, por ministrja Kumbaro në fjalën e saj në parlament në shtator tha: është një mandat i ri me vizion të qartë për të konsoliduar skenën e pavarur të kulturës. Sa shpresoni dhe çfarë i kërkoni ministres për skenën e pavarur kulturore?

Dakord. Marrim disa shembuj që të jemi me konkretë. Kumbaro mbylli Festivalin Teatror të të Rinjve. Ky festival ishte një mbështetje direkte për skenën e pavarur. Regjisorët e rinj humbën një projekt të sigurt në mbështetje të shfaqjeve të tyre. Kumbaro nuk i ka seriozisht angazhimet që merr. Festivali i Butrintit është një festival i skenës së pavarur. Kumbaro po e shkatërron, duke u tallur me mbështetjen që i jep. Kumbaro nuk do ta mbështesë, sepse nuk i kupton çështjet e politikave kulturore. Ajo nuk bën asgjë për lidhjen e turizmit me kulturën edhe pse thotë se është e angazhuar për këtë gjë. Projektet teatrore të pavarura mbështeten me shifra të turpshme, që nuk sigurojnë as fillimin e punës. Të gjitha projektet e pavarura janë grupuar në skenën e TK, duke u paraqitur si repertor në rritje i Teatrit Kombëtar kur në fakt janë projekte të pavarura që duhej të konkurronin TK. Kumbaro nuk di, fatkeqësisht edhe nuk mëson. Skenën e pavarur e garantonte Qendra e Artit, e cila menaxhimin e projekteve të pavarur e linte në dorë të komunitetit artistik, por Kumbaro e mbylli Qendrën e Artit. Ajo sillet me kulturën si një elefant në dyqanin e qelqurinave. Kalendari Kulturor me Kosovën është një dështim tjetër i madh, ku drejtuesit e institucioneve shkaktojnë skandal pas skandali, por në Ministrinë e Kulturës nuk kanë sy dhe veshë të shohin dhe dëgjojnë se si turpërohen artistët nga drejtuesit e papërgjegjshëm. Kumbaros nuk i intereson, sepse e kapi mandatin tjetër si ministre dhe tani prioritet janë planet zhvilluese të Përmetit dhe Këlcyrës. Lista mund të vazhdonte pa fund. Përtej fjalës në Parlament Kumbaro nuk ka paraqitur asnjë plan konkret buxhetor se si do të arrihet konsolidimi i skenës së pavarur. “Dita zë fill” kur agon dhe jo kur perëndon.

-Është kërkuar nga artistët edhe me këtë mandat të dytë të Ministrisë së Kulturës ndryshimi i ligjit të artit, për ju ku duhet të ndërhyhet në ligj?

Me sa di unë ka nisur një proces, por nuk e kam idenë se kush është përfshirë në grupin e punës. Besoj ekspertët më të mirë, ata ekspertë qe e prunë në këtë derexhe artin dhe kulturën tani duhet të jenë thirrur ta rregullojnë me eksperiencën e mbledhur.

-Të enjten ministrja Kumbaro mblodhi për një takim në ministri artistë dhe përfaqësues të OJF që nuk ka zgjatur as një orë sipas artistëve, ku ka përmendur rezultatet e 4 viteve më parë dhe buxhetin e 2018, apo ku do investohet. Gjithsesi në këtë situatë kur artistët kanë pohuar se mungon konsultimi i ministres me ata për buxhetin apo probleme të tjera, në gjykimin tuaj sa mund të ketë shërbyer ky takim?

Nuk dua të gjykoj pjesëmarrësit. Jo se nuk janë të rëndësishëm, por për mua të rëndësishme janë idetë, dhe idetë janë gjëja e fundit për të cilat mendon Kumbaro dhe stafi i saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here