Niko Peleshi: Të angazhuar për heqjen e TVSH-së për imputet bujqësore

0
1193

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi ishte i pranishëm sot në Korçë, ku ka vizituar një nga pikat e tregtimit të imputeve bujqësore. Ministri, i shoqëruar edhe nga Eduard Shalsi, deputetë e përfaqësues të tjetë të pushtetit vendorë, është njohur nga afër me kushtet dhe problematikat që ka ky biznes, duke i garantuar mbështetje dhe lehtësira mbi barrën fiskale të imputeve bujqësore. “Jemi angazhuar për heqjen dalëngadalë të TVSH-së, së imputeve bujqësore për fermerët, pra për të ulur me pothuajse 20 % koston fillestare të prodhimit, por ndërkohë imputetet bujqësore janë të rëndësishme edhe nga pikëpamja cilësore.

Pra, cilësia e imputeve është një nga shqetësimet e fermerëve, shqetësimet tona, për të garantuar sigurinë ushqimore, por edhe produktivitetin, rritjen e produktivitetit të bujqësisë.”, tha Peleshi. Ministri ka nënvizuar nevojën e bashkëpunimit midis biznesit privat dhe mekanizmave shtetërore. “Ne kemi një bashkëpunim kohët e fundit dhe me shoqatën AFADA, por edhe me Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, jemi duke shqyrtuar gjithë kuadrin tonë ligjor, për të lehtësuar burokracinë. Burokracia është një nga çështjet që kjo Qeveri, po e adreson me shpejtësi në të gjithë sektorët. Edhe në këtë sektor, mesa dëgjuam sot, burokracia është një nga pengesat. Ne do të merremi edhe deri në përmirësime ligjore, ndaj jemi me komisionin, shumë afër, në mënyrë që këtij biznesi t’i krijohen kushte për të bashkëpunuar.”, u shpreh ministri.

Peleshi ka mbajtur një qëndrim të prerë përsa i përket sigurisë ushqimore dhe ka bere thirrje për nje pakt përtej partive “Siguria ushqimimore, unë e kam kërkuar dhe vazhdoj ta kërkoj, të jetë një pakt bipartizan, për sigurinë ushqimore, nuk do të ndalet, derisa konsumatori shqiptar të jetë i sigurt për atë që konsumon”, mbylli fjalën e tij Peleshi. Fjala e plotë e ministrit Peleshi: Sot kemi ardhur me deputetin dhe Kryetarin Komisionit e Veprimtarive Prodhuese, Prefektin, deputët e Qarkut, të vizitojmë një nga pikat shembullore, do të doja të thoja unë, të tregtimit të imputeve bujqësore.

Imputet janë një pjesë e rëndësishme për fermerin, edhe sepse janë një kosto e mirë së prodhimit bujqësor, dhe ne për këtë jemi angazhuar, që në të ardhmen e afërt, duke filluar me shumë gjasa nga viti që vjen, të fillojmë të lehtësojmë barrën fiskale të imputeve bujqësore. Jemi angazhuar për heqjen dalëngadalë të TVSH-së së imputeve bujqësore për fermerët, pra për të ulur me pothuajse 20 % koston fillestare të prodhimit, por ndërkohë imputetet bujqësore janë të rëndësishme edhe nga pikëpamja cilësore.

Pra, cilësia e imputeve është një nga shqetësimet e fermerëve, shqetësimet tona, për të  garantuar sigurinë ushqimore, por edhe produktivitetin, rritjen e produktivitetit të bujqësisë. Këtu jemi në një biznes, në fakt, që operon prej shumë vitesh, model edhe korrekt. Ka edhe informalitet në këtë fushë, ka dhe nevojë dhe për një kontroll të cilësisë, por ka dhe nevojë për mbështetje të këtij sektori. Ne kemi një bashkëpunim kohët e fundit dhe me shoqatën e tyre, AFADA, por edhe me Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, jemi duke shqyrtuar gjithë kuadrin tonë ligjor, për të lehtësuar burokracinë. Burokracia është një nga çështjet që kjo qeveri, po e adreson me shpejtësi në të gjithë sektorët.

Edhe në këtë sektor, mesa dëgjuam sot, burokracia është një nga pengesat. Ne do të merremi edhe deri në përmirësime ligjore, ndaj jemi me komisionin, shumë afër, në mënyrë që këtij biznesi t’i krijohen kushte për të bashkëpunuar. Nga ana tjetër, kërkesa jonë, kontrolli i shtetit do të rritet për cilësinë e imputeve, për të zhdukur informalitetin në këtë fushë, për të mbrojtur fermerin shqiptar nga imputet. Duhet thënë që deri më sot, këshillimi, ekstensioni që e quajmë, këshillimi ndaj fermerëve, pothuajse është bërë nga tregtarë të imputeve, që në një farë mënyre, duhet ta themi kanë një lloj konflikt interesi, por mirë që e kanë bërë deri tani.

Na duhet që të fuqizojmë shumë ekstensionin publik, do të thotë këshillimin publik, ndaj drejtoria e bujqësisë është tani në proçes të ristrukturimit, deri nga fundi i vitit do të kemi Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Këshillimit ndaj Fermerit, që do të jetë pranë tyre për t’u treguar, e para njëherë, sesi duhet të përdoren pesticidet, sa duhet të përdoren pesticidet, kush është i përshtatshëm dhe për çfarë. Këtu na del një problem tjetër, një mungesë që e kemi në tregun tonë të shërbimeve, analizat e tokës, laboratorët. Laboratorët janë problem edhe në fushat e tjera, edhe në fushën e prodhimeve shtazore, por edhe analizat e tokës, apo laboratorët e tjerë të prodhimeve bimore tek ne, nuk mund të them që mungojnë, por janë vulnerabël.

Dua të them që qasja jonë për laboratorët, për fuqizimin e laboratorëve, do të jetë një qasje liberale. Nuk do të kemi ose private, ose publike, por do të vëmë në garë laboratorët tanë publikë, me të gjithë iniciativat private, që edhe do të mbështeten sa të jetë e mundur, në mënyrë që tregu të pasurohet me këtë lloj shërbimi. Ne do të kërkojmë si insititucione shtetërore, akreditimin, pra qoftë nga institucionet shtetërore, qoftë nga ato privatë të akreditohen nga trupat akredituese të nivelit më të lartë dhe pastaj tregu do të bëjë punën e vet.

Pra, do të krijojmë një treg liberal, por shumë të kontrolluar edhe ndërkombëtarisht të laboratorëve. Siç e shikoni është një zinxhir me shumë hallka, për të garantuar sigurinë ushqimore, por edhe për të mbështetur bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare. Deri tani, ne jemi marrë me sukses me hallkën e produkteve shtazore, kryesisht mishin, kontrollin e therjeve dhe kontrollin e tregtimit, por pse po e përmend tani, sepse dua të them që ky nuk është një aksion i veçuar, por është vetëm një nga operacionet e një reformë të gjatë, dhe që nuk do të ndalojë derisa ne, të garantojmë që siguria ushqimore, cilësia e ushqimeve tona është e krahasueshme me nivelet e Bashkimit Evropian.

Kam takuar para pak ditësh, Komisionerin e Bashkimit Evropian për Sigurinë Ushqimore, DG Sante, dhe njëherë kemi konfirmuar nga ata mbështetjen e plotë, qoftë financiare, qoftë këshillimore, asistencën teknike, por nga ana tjetër na është thënë shumë qartë, që ky standard, nuk është si standardet e tjera që edhe mund të tolerohen, ose mund t’u japin kohë vendeve që aspirojnë të bëhen vende të Bashkimit Evropian. Ky ose arrihet, ose jo!

Kështu, që beteja për të arritur sigurinë ushqimore, kontrollin e ushqimeve në Shqipëri sapo ka filluar. Do të jemi krahë për krahë me deputetët. E kemi diskutuar edhe në komision, të gjithë krahëve, sepse kjo nuk është një çështje partiake, është një çështje kombëtare. Siguria ushqimimore, unë e kam kërkuar dhe vazhdoj ta kërkoj, të jetë një pakt bipartizan, për sigurinë ushqimore, nuk do të ndalet, derisa konsumatori shqiptar të jetë i sigurt për atë që konsumon. Nuk e di nëse dhe deputeti ka ndonjë gjë për të shtuar…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here