Monday, June 17, 2024
Home Politikë Largimi i të rinjve, Meta: E kam vështirë të pranoj se klasa...

Largimi i të rinjve, Meta: E kam vështirë të pranoj se klasa politike ka dështuar

0
750

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë sot në ceremoninë e promovimit të librit të znj. Valbona Zeneli, doktore në shkencat ekonomike dhe Profesore e Studimeve të Sigurisë Kombëtare, por edhe Drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë George Marshall. I pranishëm në ceremoni ishte dhe Ambasadori amerikan Donald Lu.

Presidenti Meta përshëndeti botimin e këtij libri me përmbledhje artikujsh e eseshë dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë idetë dhe tezat shumë interesante, të guximshme dhe provokative të lançuara nga Dr. Zeneli, për çështje shumë sensitive për politikën dhe shoqërinë shqiptare dhe atë ballkanike.

Meta: Nuk do t’i hiqja as një presje të vetme vlerësimit të Drejtorit të Qendrës Marshall, Gjeneralit Keith Dayton, i cili ndër të tjera e vlerëson Dr. Zenelin jo vetëm si një ekonomiste brilante, por edhe si një vëzhguese të mprehtë të çështjeve ndërkombëtare. Apo gazetarit të mirënjohur Tim Judah, i cili duke iu referuar eseve për korrupsionin, largimin e trurit nga Ballkani dhe sfidat e zgjerimit të BE-së shprehet se: askush tjetër nuk do të ishte në gjendje për ta bërë më mirë këtë se sa Zeneli. Jam i bindur se ajo do të vazhdojë të na bëjë krenarë e të na surprizojë, provokojë, të na kritikojë me idetë dhe tezat e saj kurajoze e profesionale edhe në të ardhmen.

Duke u ndalur tek tema e autores për emigracionin dhe largimin e të rinjve të kualifikuar nga vendi dhe rajoni, Presidenti Meta theksoi se, humbja e shpresës së të rinjve dhe pasiguria për të ardhmen e tyre është që çështje që duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Meta: Pavarësisht nga dallimet e të kaluarës dhe problemet e sotme, sfidat e të rinjve në të gjithë Ballkanin janë të njëjta. Dhe ajo që na trishton shumë padyshim është largimi i të rinjve nga Ballkani. Në dekadën e dytë të demokracisë ne menduam se kishte ardhur koha për ta mbyllur emigracionin masiv dhe gëzoheshim që shumë të rinj, të mirë-edukuar e trajnuar jashtë, po ktheheshin për të kontribuar në vend apo për të ngritur sipërmarrje të suksesshme. Por ja që ky problem ende është sjellë sërish në vëmendjen tonë, sidomos kur bëhet fjalë për të rinj të kualifikuar. Si politikan nuk e kam të lehtë të pranoj se kjo gjë është dështim i klasës politike. Humbja e shpresës dhe e sigurisë së të rinjve brenda vendit është një shqetësim për ne dhe për të gjithë vendet e Ballkanit. Ndaj dhe e gjej shumë interesante, provokuese dhe të guximshme tezën e Valbonës se, largimi i të rinjve të arsimuar nga vendi, konsiderohet nga politikanë cinikë – shpresoj të mos jem i tillë – si një çelës për të ruajtur ‘status quo’-në dhe reduktimin e rrezikut të opozitës politike, intelektuale dhe të shoqërisë civile në vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here