Grabitja e bankës në Laç, ja çfarë gjeti policia në vendngjarje…

0
1010

Policia dhe prokuroria po hetojnë në lidhje me grabitjen e kryer një ditë më parë në një bankë të nivelit të dytë në Laç, ndërkohë që 24 orë pas ngjarjes ende nuk ka asnjë të dyshuar si autor të ngjarjes. Grabitja është realizuar në një kohë prej 3 minutash, ndërsa alarmi është aktivzuar rreth 15 minuta pas grabitjes.

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se autorët nuk kanë lënë gjurmë në vendin e ngjarjes, çka do të thotë se do të jetë e vështirë zbulimi i tyre nga gjurmët.

Policia ka sekuestruar pamjet e sigurisë, përmes të cilave rezulton se në grabitje kanë marrë pjesë të paktën 3 persona. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se grabitësit kanë marrë një shumë prej 3 milionë lekësh, të cilat ishin duke u përpunuar nga personeli i bankës.

Paratë që u grabitën mësohet se i përkisnin kompanisë së kolaudimit të automjeteve në këtë qytet.

Burimet bëjnë me dije se hetimet kanë përfshirë edhe personelin e bankës, pasi ka dyshime se grabitësit kanë pasur informacion të brendshëm, jo vetëm sepse ngjarja ka ndodhur pak minuta pasi mjeti i blinduar kishte dorëzuar sasinë e parave, por edhe për faktin se roja i bankës nuk ka qenë i armatosur.

Nga marrja në pyetje e punonjësve të bankës, policia ka mësuar se 2 prej grabitësve mbanin pistoleta, ndërsa i treti me vare ka thyer xhamin e derës kryesore.

Pas grabitjes, autorët janë larguar në këmbë për disa metra, ndërsa më pas me një automjet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here