“Ishte e pamundur që një anëtar i ekipit të tij të tentonte helmimin”. Kështu u përgjigjet të gjitha pretendimeve dhe dyshimeve mbi një helmim të mundshëm të diktatorit Enver Hoxha, një nga mjekët e skuadrës që kujdesej për të.

 

 

Kardiologu i njohur, Sabit Brokaj, një nga mjekët e ekipit që ndiqte 24 orë shëndetin e Enver Hoxhës, në një intervistë për gazetën “Panorama” shprehet se protokolli i blerjes, marrjes, transportimit dhe dhënies së ilaçeve të Enver Hoxhës ka qenë aq strikt dhe i mirëstudiuar, sa nuk linte asnjë hapësirë që dikush të tentonte helmimin e tij.

Sipas profesor Sabitit, vdekja e Enver Hoxhës ishte rrjedhojë e një patologjie të hershme të diabetit që në vitin 1948, duke krijuar komplikacione, që agravoheshin vit pas viti dhe në organet të tjera të trupit.

Në vijim të intervistës Brokaj tregon se çfarë ndodhi në vilën e Enver Hoxhës mes datave 9 dhe 11 prill. Si u ndërhy, si u rianimua sërish diktatori, duke ia rivënë zemrën në punë, por ndërkaq truri dhe veshkat ishte e pamundur që të rimerrnin funksionet e tyre jetësore.

Po ashtu, Brokaj tregon se si procedohej me kartelën sekrete të diktatorit dhe mundësinë e ekzistencës së një tjetre, jashtë Shqipërisë.

Është thënë se Enver Hoxha ishte i shkëputur nga realiteti, informacionet ia transmetonin joreale, duke e lënë me pak informacion nga ajo që ndodhte realisht, siç ishte tufëzimi…

Jo, jo, nuk futem fare në këtë lloj diskutimi. Unë flas si mjek. E përsëris që as që bëhej fjalë që të kishte njerëz në ekipin e tij, por në ato veprime që kishin anëtarët e ekipit që e ndiqnin dhe kontrollonin, praktikisht ishte e pamundur që një anëtar i ekipit të tij të tentonte helmimin. Ne mjekët kontaktet me medikamentet i kishim në urgjencë, kur atij i ndodhte një insult apo një goditje, natyrisht që për shpejtësi do të përdoreshin ilaçet e urgjencës që mbaheshin aty për të kaluar rrezikun. Ato ia sillte infermieri.

Kurse në terapinë e zakonshme, mjeku s’kishte asnjë kontakt me ilaçet. Mjeku vetëm sa shkruante në kartelë ilaçet dhe ishin infermierët që ia jepnin.

Siç ndodh dhe në spital, që mjeku nuk merret as me tableta dhe as me injeksione, por i shkruan në kartelë dhe ato ia jep infermieri. Edhe ardhja e medikamenteve nuk bëhej nga mjeku, por nga oficeri i Sigurimit Sulo Gradeci, nuk ishim ne.

Ju keni qenë mjek roje në vilën e familjes Hoxha, kur Enveri pësoi goditjen e fundit?
Po, isha unë dhe Ahmet Kamberi dhe shumë shpejt erdhi edhe ekipi i mjekëve.

Sa e shpejtë ishte ndihma që iu dha?
Ishte jo më shumë se 30 sekonda. Ne ishim 10 metra më tutje nga dhoma ku po qëndronte Enveri, brenda vilës.

Por zemra rimori funksionet e saj?
Po, zemra dhe tensioni u stabilizuan nga ora 10 e datës 9 prill, deri në darkën e datës 11 prill 1985 funksionoi shumë mirë. Por truri dhe veshkat nuk u rikthyen dot në funksionet e tyre. Veshkat kishin filluar nga 1982-83 të prekeshin nga diabeti. Në 1984 kreatinina ishte një nga problemet serioze me të cilën ne u përballëm në shëndetin e Enver Hoxhës, pra 1 vit para se të vdiste.

As mjekët francezë nuk i jepnin një zgjidhje të plotë të gjendjes së pacientit Hoxha?
E para ata nuk operonin direkt me Enver Hoxhën.

Dosja mjekësore e Enver Hoxhës ishte plotësisht sekrete, përveç ekipit të mjekëve?
Plotësisht sekrete, përveç rasteve që rekomandonte Enveri për diabetin kryesisht, sepse që Enveri vuante nga diabeti këtë e dinin të gjithë dhe nuk kishte ndonjë rezervë.

Është thënë pas ’90 se autoritetet italiane e kanë pasur dosjen shëndetësore të Enver Hoxhës?

Absolutisht jo. Informacione ka pasur, por jo dosje mjekësore. Për shembull, unë e di që CIA merrte informacion për udhëheqësit komunistë të Lindjes dhe nuk kishte njeri që shkonte në Moskë dhe nuk pyetej nga CIA se çfarë mendonte apo si e kishte parë ai Moskën dhe sovjetikët. Po ju tregoj një detaj, në Rusi, në kohën e Hrushovit u bë një kongres ndërkombëtar i kardiologjisë dhe nga Amerika shkoi presidenti i Shoqatës së Kardiologjisë, profesor Uajt, kardiologu i Eisenwoer.

Në Teatrin “Balshoi” u dha koncert për nder të këtij kongresi. Në koncert mori pjesë dhe Hrushovi për të nderuar pjesëmarrësit dhe të ndiqte koncertin.

Kur hyn Hrushovi, Uajti i thotë Miaznikovit, mjek i klinikës speciale të udhëheqjes sovjetike, mjek i Stalinit: Po me këtë keni ndonjë problem, si me Stalinin? Sepse Stalini dihej që ishte hipertonik dhe vdiq nga hemorragjia cerebrale. Jo, nuk kemi, por kemi probleme të sjelljes”, i thotë ai. Pra ai dha informacion dhe nuk dha informacion.

Kur Uajti kthehet në Amerikë, e pyetën se çfarë thoshin për Hrushovin? 
Dhe ai, si çdo shkencëtar që nuk ka mendje policeske në trurin e tij, tha: Interesante m’u duke se duke folur me mjekun, më tha se Hrushvi ka probleme me sjelljen. CIA këtë defekt të tij e kishte regjistruar dhe në një raport që i dhanë Presidentit amerikan para takimit me Hrushovin, e kishin vënë këtë detaj që ka probleme me sjelljen dhe prirje për oportunizëm. E bëra këtë parantezë për të thënë se italianët mund të kishin krijuar ndonjë dosje mjekësore për Enver Hoxhën, duke marrë informacion nga çdo burim i mundshëm dhe nga njerëz të thjeshtë.

Edhe kartela ruhej në kasafortë?
Po, po, ajo shihej vetëm nga mjekët dhe asnjë tjetër. Edhe mjeku i dezhurnit do të punonte me kartelën se do shënonte çdo rast. Siç më ndodhi mua në 1984, kur Enverit i ndodhi një insultë dhe duke u marrë me urgjencën që paraqiti pacienti, unë nuk shënova asgjë në kartelë. Deri sa erdhi konsulta e mjekëve, Enveri u përmend, doli nga gjendja e goditjes. Mua më kujtohet profesor Hoxha, kur më tha: Shumë mirë e keni bërë punën, por a keni shënuar gjë në kartelë? Unë nuk kisha shënuar gjë, sepse nuk kisha pasur kohë të bëja shënime.

LEAVE A REPLY