Në një takim të zhvilluar dje në Tiranë, shoqatat e biznesit nga Shqipëria dhe Kosova kanë deklaruar se ato kanë qenë dhe janë gjithnjë për heqjen e barrierave administrative për tregtinë ndërkufitare, por kërkojnë nga dy shtetet eliminimin e kostove proceduriale dhe bashkërendimin e politikave ekonomike.

Ky prononcim shprehu një qendrim të kundërt nga ai i ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, i cili pak ditë më parë deklaroi se ka biznese të caktuara që janë kundër krijimit të një tregu të përbashkët.

Përfaqësues nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Forumi i Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, që u mblodhën dje, thanë se kanë një bashkëpunim shumë të mirë mes prodhuesve të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe disa pengesa, të cilat pengojnë bashkëpunimin. Bardhyl Baltëza, President i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në fjalën e tij u shpreh: “Prodhuesit shqiptarë nga të dy anët e kufirit u kanë propozuar prej kohësh qeverive shqiptare unifikimin ekonomik midis dy vendeve dhe nuk shohim asnjë pengesë midis nesh, nuk ka midis nesh njerëz që janë kundër këtij bashkimi ekonomik. Dhe unë besoj, në frymën e Komunitetit Europian që ekonomitë mund të bashkohen dhe ne nuk bëhemi pengesë për këtë. Jemi ne, promotorët, përpara qeverive tona, për ta shtyrë përpara këtë proces”.

I pyetur nëse mendonte se deklarata që erdhi nga ministri i shtetit për Diasporën, ishte e pabazë dhe nuk ka biznes që e pengon një proces të tillë, Baltëza u përgjigj: “Të paktën në mbledhjen që bëmë midis shoqatave të prodhuesve në Shqipëri e Kosovë, pamë që nuk ka njerëz që janë kundër këtij bashkimi. Fryma e bashkëpunimit midis bizneseve prodhuesve të Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë shumë përparimtare. Kjo, sepse ne duam të ndërtojmë një ekonomi si një komb. Fati na solli që jemi dy shtete, por duam të ndërtojmë një ekonomi komplementare, të mos dëmtojmë njeri-tjetrin, por të ndihmojmë njeri-tjetrin”.

Por si do të arrihet në hapjen reale të kufijve për mallrat dhe shërbimet?

“Le të hapim ekonomikisht kufijtë midis dy vendeve tona, të ndërtojmë një plan se si do ta zhvillojmë këtë ekonomi, të mos bëjmë shpenzime të dyfishta që sjellin humbje, të mos kemi konkurrenca të dëmshme midis njëri tjetrit, por t’i rregullojmë këto gjëra në mënyrë zyrtare dhe të hapur”, u shpreh Baltëza.

Përgatitja e ekonomisë shqiptare për të hapur dyert për tregun ballkanik duhet të ketë një periudhe 2-3 vjeçare dhe të bëhet një studim për fushat ku do hapet, theksuan më tej biznesmenët. Ata u shprehën se duhet të bëhet një studim, qoftë për tregun e Shqipërisë, qoftë për të Kosovës, sesi do të hapet ky treg: “Të unifikohet një pjesë e kostove, një pjesë e drejtimeve të ekonomive tona. Duam që qeveritë tona të bashkëpunojnë me ne, për të drejtuar këtë hapje në mënyrë të tillë që mos të ketë kolaps”.

Përfaqësuesit nga të dy vendet kanë theksuar edhe se kërkojnë ndihmë me polika të caktuara financiare lehtësuese në këtë proces. “Ne brenda vetes kemi produkte shumë konkurruese, por qeveritë e Ballkanit të gjitha subvencionojnë. Kërkojmë nga qeveritë tona që të kenë një program të studiuar mirë dhe të ballafaquar me të gjithë ekonomitë e Ballkanit”.

Nga ana e tij, Astrit Shabani, kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës tha: “Ne jemi tri organizata, kemi marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet njëra-tjetrës dhe fokusi kryesor yni është heqja e çdo barriere që na pengon të qarkullojmë lehtshëm. Përsa i përket rastit që jemi mbledhur këtu, ne kemi ardhur si prodhues të dëshmojmë që nuk ka asnjë pengesë, asnjë vonesë. Është kërkesë e prodhuesve që të unifikohemi, të jemi të lirë dhe të hapur, mos të ketë asnjë pengesë. Më vjen mirë që Shqipëria ka qenë më shumë prezent në vitin 2017 se vitet e tjera dhe shpresoj të jetë edhe më shumë në vitet në vazhdim”, tha ai.

LEAVE A REPLY