Njëqind ditët e para të qeverisë ‘Rama 2’ përkojnë edhe me zbatimin e platformës unike për bashkëqeverisjen me qytetarët.
Sipas raportit dymujor të zbatimit të platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”, numri më i madh i ankesave të regjistruara është për Ministrinë e Drejtësisë, e drejtuar nga Etilda Gjonaj, e ndjekur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e drejtuar nga Lindita Nikolla. Për Ministrinë e Drejtësisë dhe organet në varësi të saj, janë regjistruar 255 ankesa, nga të cilat janë trajtuar 133 ankesa, ndërsa 122 janë në proces. Siç duket, ankesat i referohen kryesisht zyrave të regjistrimit të pasurive dhe legalizimeve, sektorë të cilët janë në varësi të kësaj ministrie. Për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si dhe për sektorët në varësi të saj, janë regjistruar 150 ankesa, nga të cilat 116 janë trajtuar, ndërsa 34 janë në proces.
Sipas raportit të parë të bashkëqeverisjes me qytetarët, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, rezulton më e suksesshmja, në raport me trajtimin, por edhe me numrin e pakët të ankesave. Për Ministrinë e Mbrojtjes dhe organet në varësi të saj janë regjistruar 17 ankesa, ku 16 janë zgjidhur. Ndërkaq, për Ministrinë e Shtetit për Diasporën, me në krye Pandeli Majkon, nuk ka asnjë ankesë, ndoshta edhe për shkak se kjo ministri sapo është krijuar. Ndërkaq, ministritë me më pak ankesa janë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme me në krye Ditmir Bushatin me pesë ankesa dhe Ministria për Kulturën me 8 ankesa.
Nga ana tjetër, Kryeministrisë i janë drejtuar një numër i madh qytetarët për të zgjidhur problemet e tyre me administratën dhe organet në varësi të saj. Sipas raportit, Kryeministria ka trajtuar dhe zgjidhur 158 ankesa, ndërsa 59 ankesa janë në shqyrtim.
Lista
Lista vijon me Ministrinë Financës dhe Ekonomisë, me 92 ankesa të trajtuara dhe 49 në proces, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë regjistruar 135 ankesa, nga të cilat 91 të trajtuara dhe 44 në proces, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë regjistruar 87, ankesa, nga të cilat 80 janë trajtuar, ndërsa 7 janë në proces.