21 janari, familjarët e Aleks Nikës mesazh Arta Markut: Hap dosjet…

0
808

 

Emërimi i Kryeprokurores së re Arta Marku mesa duket ka ngjallur shpresat për familjarët e viktimave të 21 janarit 2011. 7 vjet nga protesta e përgjakshme, xhaxhai i Aleks Nikës, që mbeti i vrarë në Bulevard i bën thirrje Arta Markut që të hapë dosjet.

Mark Nika në një Intervistë për “Shqiptarja.com”, teksa ka shprehur besimin te Kryeprokurorja e re, i kërkon asaj të zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila ka urdhëruar drejtësinë shqiptare që të hapë dosjet.

Ndër të tjera Nika akuzon edhe ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, që sipas tij ka zvarritur hetimin.

“Unë akuzoj sot publikisht ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla për zvarritje të qëllimshme të hetimeve për vrasjen e Alekstit. Llalla ishte politikisht dhe juridikisht i kapur nga Partia Demokratike. Me veprimet e tij, ai rehabilitoi krimin e kryer nga Garda e Republikës, duke na bërë që të humbasim besimin tek drejtësia. Edhe mazhoranca duhet të ishte treguar më e vendosur për ta shpërbërë këtë aleancë kriminale mes Llallës, PD dhe Gjykatës së Lartë. Nuk duhet të kishte pritur mbarimin e mandatit, për zëvendësimin e Llallës me Arta Makun, të cilën nuk e njohim.

Markun nuk e njohim, por kemi të dhëna se Arta Marku është e pandikuar nga politika dhe se ka mbështetjen e plotë të ndërkombëtarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, ne kemi besim se, zonja Marku do t’i rishqyrtojë kërkesat tona të vazhdueshme dhe do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila urdhëron drejtësinë shqiptare të hapë dosjen.

Mesazhi ynë për zonjën Marku është ky: Zbato vendimin e Gjykatës së Strasburgut për këtë çështje. Zbato vetëm ligjin. Se kush janë vrasësit, këtë e ka përcaktuar ekspertiza, e kanë përcaktuar pamjet filmike, ka dëshmitarë etj. Se kush janë urdhëruesit, kjo del nga ligjet dhe rregullat që ishin atëherë. Kjo del edhe nga deklaratat e tyre publike”, është shprehur xhaxhai i Aleks Nikës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here