Kryeprokurorja Arta Marku paraqitet në parlament: Ja për çfarë do të flasë…

0
985

Kryeprokurorja Arta Marku pritet të paraqitet së shpejti në Parlament, për të raportuar për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri dhe zbatimin e udhëzimeve që vetë zonja Marku ka nxjerrë.

Një sërë titullarësh të institucioneve të pavaruara që zgjidhen prej Kuvendit do të thirren para deputetëve për raportim gjatë javëve në vijim.

I pari do të jetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri për të cilin raportimi do të përfshijë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 qershorit, por edhe rezultatet e zbatimit të dekriminalizmit që çoi në jo pak raste në ndërprerje mandatesh për deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Raportimet e titullarëve të institucioneve janë përcaktuar në një kalendar të detajuar të parlamentit, i cili rendit me afate konkrete edhe kohën kur do të thërrasë në raportim Prokuroren e Përgjithshme, Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Avokaten e Popullit, drejtuesin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, deri edhe titullarin e Drejtorisë së Pastrimit të Parave.

Por ajo çfarë do të pritet me interes do të jetë raportimi i kryeprokurores Marku, e cila erdhi në këtë detyre pas një debati të fortë politik. 18 Dhjetori, dita kur ajo u zgjodh në krye të institucionit të akuzës, u shënua ‘seanca më e nxehtë’ e vitit 2017: me përplasje verbale madje dhe fizike mes ligjvënësve, protesta brenda e jashtë parlamentit dhe tymuese që skuqën sallën. Eksponentë të opozitës argumentuan se zgjedhja e saj ishte e jashtëligjshme. Prokurorja e Përgjithshme, sipas dokumenteve të publikuara nga parlamenti, do të raportojë për gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri dhe zbatimin e udhëzimeve që vetë zonja Marku ka nxjerrë.

Raportimet para kuvendit janë procedurë rutine, por në kushtet kur klasa politike ka hyre në një situatë të nxehtë komunikimi, pritet që edhe seancat e raportimeve të reflektojnë qëndrimet që janë mbajtur për çështjet e fundit që kanë qenë lajtmotiv në politikë e opinionin publik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here