Pak orë pas mbylljes së protestës së opozitës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar përmes një statusi në Facebook. Kryedemokrati thotë se sot shqiptarët u ngritën për ta marrë fatin në duart e tyre dhe për të luftuar sipas tij këtë të keqe qe ka pushtuar vendin.
Basha u ka dhënë përgjigje edhe atyre që pyesin se çfarë kërkon të arrijë opozita përmes protestës. “Për ata që pyesin çfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJË FJALË: FITORE! FITORE! FITORE!”- thotë Basha.
Statusi i plotë:
Sot, të bashkuar me gjithë shqiptarët e ndershëm në shesh, u ngritëm besimplotë për ta marrë fatin në duart tona.
Strategjia jonë është përballja, është rezistenca, është beteja totale me gjithë sa kemi në dorë, në shpirt, në zemër dhe me gjithë fuqinë që na jep Zoti i madh KUNDËR kësaj të keqe që ka pushtuar vendin tonë, që ka marrë peng njerëzit dhe të ardhmen tonë, ka gllabëruar liritë dhe të drejtat tona! Kjo është strategjia.
Për ata që pyesin çfarë doni të arrini: Përgjigja është vetëm NJË FJALË: FITORE! FITORE! FITORE! — me çdo kusht dhe sado sfiduese dhe e mundimshme të jetë rruga drejt saj!
Sepse pa fitoren e kësaj kauze, nuk ka të ardhme. Nuk ka të ardhme për fëmijët tanë, nuk ka të ardhme për popullin shqiptar, nuk ka të ardhme për Shqipërinë!