Çertifikohen 387 kursante per patrullen e pergjithshme te policise

0
760

Gjatë ditës së sotme në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua ceremonia e betimit dhe certifikimit të kursantëve, që përfunduan Programin e Shkollimit “Kolegji i Policisë”, kursi i XI-të.

Të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Rebani Jaupi, Drejtori i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Bilbil Memaj, Zv.Ministri i Brendshëm Z.Julian Hodaj, Drejtori i Kolegjit të Policisë Drejtues Ylli Vasili, Drejtori i SHÇBA-së Z.Eduart Merkaj si dhe përfaqësues të Misioneve të huaja që asistojnë Policinë e Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Rebani Jaupi në këtë ceremoni ka përshëndetur punonjësit e rinj të Policisë, duke i inkurajuar ata në profesionin e tyre si dhe ka theksuar se reformimi i sistemit arsimor është një nga pikat më të rëndësishme në reformën e ndërmarrë nga Policia e Shtetit, me qëllim krijimin e bazave të qëndrueshme dhe në përshtatje me kërkesat e kohës për një Polici të Re, për një Polici të Gjeneratës tjetër.

“Të jesh punonjës policie është një sfidë që kërkon nga secili prej jush përkushtim, devotshmëri dhe sakrifica të panumërta. Ne jemi krenar për ju, si brezi më i ri, si fryma më e re e Policisë së Shtetit.

Përpara keni një karrierë të gjatë, ndaj dhe ju inkurajoj që asnjëherë të mos dorëzoheni para vështirësive apo pengesave. Mbajeni gjithmonë këtë pasion që keni sot për këtë profesion, luftoni dhe kërkoni gjithmonë më të mirën nga vetja, nga shokët dhe kolegët tuaj”.

Në vijim Drejtori i Kolegjit të Policisë Drejtues Ylli Vasili është shprehur:

“Ju kurorëzoni përfundimin me sukses të Programit të Shkollimit në Kolegjin e Policisë dhe filloni rrugëtimin tuaj në këtë profesion sa fisnik aq edhe të vështirë. Shkollimi policor është ndër kriteret bazë, më të domosdoshëm të organizatës së policisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, për të formuar dhe trajnuar strukturat policore të nivelit operues dhe më tej për të pasur sukses në misionin e tyre”.

I pranishëm Zv Ministri i Brendshëm Z.Hodaj ka vlerësuar se:

“Policia nuk është punë është mision. Dhe unë besoj që ju këtë jo vetëm që e dini por do të jeni në gjendje ta dëshmoni në detyrë. Ju ftoj që në punën e përditshme të ndiqni një rregull të artë, të trajtoni të gjithë ata që do të ndihmoni , ndaloni apo do ndëshkoni siç do të donit të trajtoheshit ju apo siç do të donit që familjarët tuaj të trajtoheshin. Ju faleminderit dhe sërish urime”.

Një prej kursanteve të certifikuara Elona Kuka theksoi se po thyhen paragjykimet, se të qënit një punonjës Policie është vetëm profesion për burra dhe se policia nuk është më forcë, por është shërbim dhe ka nevojë dhe për kontributin e femrës si një vlerë të shtuar për shoqërinë.

“Ne, anëtarët më të rinj të strukturës policore, do mbajmë me dinjitet uniformën fisnike dhe do zbatojmë ligjin me përpikmëri dhe seriozitet. Do të ushtrojmë detyrën me profesionalizëm e do transmetojmë siguri. Një punonjës policie korrekt, serioz, human dhe pa paragjykime është ajo që komuniteti do. Ne kemi zgjedhur të jemi të tillë për një arsye: Të paralajmërojmë, mbrojmë, ndihmojmë”.

Në total përfunduan me sukses Shkollimin në Kolegjin e Policisë, 387 kursantë, nga të cilët 53 femra dhe 334 meshkuj.

Programi ishte i ndërtuar në 25 javë Teori pranë Akademisë së Sigurisë, si dhe 11 javë Trajnim në Terren pranë strukturave vendore policore në të gjithë vendin.

Në përfundim u shpërndanë certifikata, për 11 studentët më të mirë duke marrë parasysh jo vetëm rezultatet në testin teorik dhe praktik, por edhe performancën e tyre gjatë kësaj kohe:

1.         Elona Kuka

2.         Albin Shametaj

3.         Merlinda Fejza

4.         Endrit Meçaj

5.         Fjoralba Elezi

6.         Emiljan Toçka

7.         Jetmira Mandreca

8.         Armand Ibro

9.         Elmira Pashaj

10.       Eni Hoxha

11.       Elvis Lazo

Të gjithë kursantët që përfunduan me sukses Kursin për Patrullë të Përgjithshme do të emërohen në detyrë, në qarqet ku ata kanë aplikuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here