Numri i të prekurve nga fruthi në të gjithë vendin ka mbërritur në 200 persona, të konfirmuar zyrtarisht nga Institutit i Shëndetit Publik. Ekspertët e ISHP thonë se ka një trend në rënie të përhapjes së virusit, parë kjo për sa i përket numrit të të prekurve gjatë javës së fundit.

Ne shërbimin e Pediatrisë në QSUT po trajtohen vetëm raste me komplikacione të rënda nga fruthi, pasi sipas një udhëzimi më të fundit nga autoritete shëndetësore, rastet që konstatohen në spitalet e rretheve nëse nuk kanë komplikacione të rënda, trajtohen me mjekim në kushtet e shtëpisë, duke i këshilluar edhe për vaksinimin e familjareve dhe parandalimin për të frenuar përhapjen në familje.

Nga ana tjetër, ka një ndërgjegjësim të popullatës për të ribërë vaksinën kryesisht ata që i përkasin të lindurve në fashën e viteve ‘80-‘90.

Ndonëse Instituti i Shëndetit Publik vazhdon t’u kërkojë popullatës të mos hezitojnë të bëjnë vaksinën ndaj fruthit edhe nëse nuk kanë informacion se sa doza të saj kanë bërë, pasi nuk shkakton efekte anësore.

Ndërsa për sa i përket epidemisë së gripit, të dhënat më të fundit tregojnë një rënie të ndjeshme.

Nga 25 mijë që ishte numri i të prekurve në Institutin e Shëndetit Publik në një javë, javën e fundit janë raportuar rreth 21 mijë 200 raste, shifër kjo që tregon se ende jemi në epidemi gripi.

Në vend qarkullojnë tre viruse të gripit krahas virozave të ndryshme. Ekspertët vlerësojnë se përmasat e epidemisë këtë vit ishin më të mëdha se një vit më parë, por jo për sa i përket agresivitetit ku një vit më parë humbën jetën 16 persona. Ndërsa këtë vit vetëm një rast është konfirmuar të ketë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të gripit.

LEAVE A REPLY