Wednesday, May 8, 2024
Home Aktualitet Kryeprokurorja Arta Marku tregon nëse do hapen hetimet për Gërdecin dhe 21...

Kryeprokurorja Arta Marku tregon nëse do hapen hetimet për Gërdecin dhe 21 janarin

0
972

Kryeprokurorja Arta Marku deklaron se prokuroria po shikon nëse ka ka mjete të zakonshme dhe jo të zakonshme për rihapjen e dosjeve të Gërdecit dhe 21 janarit.

Në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës,  ajo tha se pavarësisht vullnetit nëse nuk kthehen në procedurë rrezikojnë të dështojnë.

Arta Marku: Ka një numër dosjesh si kjo e Gërdecit, të cilat kanë dominuar opinionin publik që nga fillimi, që nga hapja e këtyre dosjeve. Dhe ky dominim ka pasur një amplitudë të ndryshueshme në varësi të zhvillimeve politiko-shoqërore që kanë ndodhur në vend. Shumë persona kanë dhënë opinione, gjykime, mendime në lidhje me ecurinë e këtyre dosjeve. Unë natyrisht që nuk mund të jap një mendim, një zgjidhje në këtë moment pasi në demokraci gjithçka ndodh, por drejtësia para se të jeta veprim është procedurë. Dhe pavarësisht vullnetit individual apo institucional, nëse ky nuk përkthehet në procedurë atëherë është i destinuar të dështojë. Këto çështje natyrisht që po shqyrtohen nëse ka mjete juridike të paezauruara, mjete të zakonshme ose jashtëzakonshme dhe a ka mundësi prokuroria që t’i përdorë këto mjete që mund të jenë të paezauruara në drejtim të rihapjes së këtyre dosjeve, megjithatë kjo çështje po shqyrtohet nga ana jonë, nga ana teknike-juridike.

Sokol Balla: Për shembull një çështje tjetër për të cilën diskutohet shumë, unë i kam kushtuar shpeshherë emisione, pasi është një çështje shumë sensitive, ngjarjet e 21 janarit. Dhe shpesh flitet, t’i rikthehemi procedurave, për mënyrën se si është zhvilluar procesi i 21 janarit, se deri diku procedurat nuk ta lejojnë një rihapje të tij. Por kjo, jo kur ka indice të reja. Për shembull rasti i Aleks Nikës natyrisht kjo është një çështje që nuk është ezauruar nga pikëpamja procedurale, pasi për vrasjen e Aleks Nikës sot nuk kemi një emër, e para. E dyta, kemi deklarime të reja, për shembull, pak ditë më parë ish-Kryeministri i vendit ishte në emision me mua dhe bëri deklarata të forta publike dhe prokuroria edhe kryesisht nisur nga këto ngacmime mediatike, mendojnë shumë veta, se duhet të rihapë hetimet, për 21 janarin po flasim në këtë rast.

Arta Marku: Unë nuk mund të them asgjë më tepër se ajo që thashë pak më parë në lidhje me këtë. Pra, pavarësisht vullnetit individual dhe institucional që nuk mungon, ne po përpiqemi të gjejmë nëse ka mjete juridike të zakonshme apo të jashtëzakonshme të paezauruara. Dhe nëse do të ketë një hapësirë që këto mjete mund të përdoren atëherë vullneti është që të përdoren.

Sokol Balla: Për shembull, ju ishit në Turqi pak ditë më parë dhe në fakt shumë media dhe portale e lidhën këtë vizitë tuajën në Turqi me ekstradimin e pritshëm të shpejtë të Izet Haxhisë, një nga të dënuarit e gjyqit të vrasjes së të ndjerit, deputetit Azem Hajdari. Ndoshta ishte lidhje ose rastësore ose e pasaktë, por kjo tregon zonja Marku, pritshmërinë që kanë njerëzit për të kuptuar nëse prokuroria apo organet e drejtësisë do t’i shkojnë deri në fund të vërtetës. Do të ndodhë kjo edhe në rastin e Haxhisë, pasi unë nuk besoj se keni shkuar për këtë arsye në Turqi, apo jo?

Arta Marku: Nuk kam shkuar për këtë arsye, është një diçka e pasaktë e paraqitur në media dhe portale. Unë kam shkuar me ftesë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Kasacionit turk, me rastin e 150 vjetorit të krijimit të asaj gjykate dhe kam qenë bashkë me drejtuesin e Gjykatës së Larte dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Kemi qenë 3 delegacione për të njëjtin motiv.

 Sokol Balla: Zonja Marku, ju folët pak më herët për pamundësinë procedurale për të hapur dosje të caktuara, pavarësisht vullnetit që ju thoni që e keni për ta bërë këtë, po flasim për dosjet e vjetra. Realisht a ka një pritshmëri më të madhe se sa keni ju mundësi si institucion, për të zbardhur dosje të vjetra hetimore, pra sa realisht janë mundësitë tuaja si institucion për ta bërë këtë gjë për të cilën presin të gjithë? Pra a ka një mospërputhje midis pritshmërive dhe mundësive tuaja si institucion për të kapur peshqit e mëdhenj të vjetër apo të rinj?

Arta Marku: Pritshmëria është e madhe, është e kuptueshme, është e dallueshme. Natyrisht që është më e madhe se ajo që mund të bëjë prokurori i përgjithshëm me kompetencat që ka. Siç e thashë dhe pak më përpara, sistemi i prokurorisë ka ndryshuar, nga sistem i centralizuar në sistem i decentralizuar dhe prokurorët e çështjeve janë zotër të këtyre çështjeve. Prokurori i Përgjithshëm mund të ndërhyjë vetëm në mënyrën e përgjithshme të funksionimit të institucionit, nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështje konkrete, nuk ka të drejtë të fillojë hetime, nuk ka të drejtë të kontrollojë hetime. Por luan rolin e tij në drejtim të motivimit të prokurorëve, në drejtim të rregullimit të mënyrës se si funksionon institucioni në përgjithësi.

Kontratat lobuese të Partisë Demokratike janë nën hetim nga ana e Prokurorisë

Arta Marku foli edhe për  çështjen  e fundit të kontratave të lobimit të Partisë Demokratike.

Sokol Balla: Tek dosjet e reja, pra me kutin tuaj matës, dosje të reja janë ato pas 18 dhjetorit; në këto dosje të reja përfshihet edhe çështja e fundit e kontratave të lobimit të Partisë Demokratike, ku sipas indiceve të para mund ose të paktën dyshohet se mund të jeta shtrirë edhe influenca ruse në Shqipëri.

Arta Marku: Po ajo është një nga dosjet e reja që është në hetim, natyrisht.

Sokol Balla: A pritet që prokuroria të hetojë realisht, gjerësisht mbi paqartësitë financiare me të cilat operojnë partitë politike në vend, pasi sigurisht kjo do të hapte një hetim shumë të fortë dhe ju kujtoj që një hetim i tillë i ngjashëm solli dhe rrëzimin e republikës italiane në fillim të viteve 90. Pra, do të ngelet vetëm aty apo do të shtrihet në përgjithësi, do hetojë në përgjithësi të gjithë financimin e partive politike shqiptare? 

Arta Marku: Mund t’ju garantoj që prokuroria po bën punën e saj me profesionalizëm.

Sokol Balla: Pra, për momentin jemi në hapat e para apo ka një zhvillim konkret?

Arta Marku: Është një çështje e re, është në hapat e para të hetimit dhe nuk është ligjore të flasim për këtë.

          Deklaratat kryesore të Arta Markut gjatë emisionit

Nuk ndikohem nga presionet politike

Vettingu te prokurorët? Ata që nuk meritojnë të jenë pjesë e sistemit, nuk do të jenë më pjesë e sistemit.

Hetime vetëm për opozitën? Përceptim i krijuar nga ata që janë nën hetim. Të gjitha, janë çështje të vjetra. Dosje që kanë qenë prej vitesh në hetim

Kontratat lobuese të Partisë Demokratike janë nën hetim nga ana e Prokurorisë

Hetimi në nivele të larta? Ka dosje të reja për të cilat po punohet. Pastrimi nga të korruptuarit nuk njeh radhë apo rang

Rihetimet për Gërdecin? Drejtësia është procedurë. Po shohim nëse ka mjete të zakonshme dhe jo të zakonshme për rihapjen e këtyre dosjeve

Kapja e “peshqve të mëdhenj”? Hetimi nuk është fushatë. Nuk më pëlqen të flas, por të veproj

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here