Ekstremet e motit nuk kanë të ndalur, duke e vështirësuar edhe më shumë situatën në zonat e përmbytura. Dëbora ka prekur prej mengjesit të së premtes edhe Shkodrën, ndonëse fuqia e saj për ta zbardhur territorin e mbingopur me ujë, është e vogël.
Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe përballja e banorëve të përmbytur, por edhe strukturave shtetërore me emergjencën bëhet më e vështirë. Në ujë janë 5 mijë hektarë tokë dhe rreth 800 shtëpi të rrethuara në Dajç, Anë të Malit dhe Berdicë. Në Vilun, Baks – Rrjoll si pasojë e stuhisë së erës është rrëzuar transformatori dhe për pasojë janë pa energji elektrike. Edhe Dajçi është në errësire në disa fshatra nga dëmtimet e shtyllave, ndërsa rruga kryesore sërish është e pakalueshme për mjetet e ulëta.
Uji ka depertuar edhe në lagjet periferike Ajasëm e Livadhe ku janë 150 shtëpi të rrethuara. Erozioni ka dëmtuar rëndë argjinaturat në Ças, Pentar dhe Darragjat. Pa mësim janë një pjesë e shkollave të Dajçit, ndërsa në Anë të Malit frekuentimi është i ulët. Emergjenca zyrtarisht nuk është shpallur, por mobilizimi në terren është rritur dhe për pasojë gjendja do të vijojë të jetë e vështirë edhe për ditët e ardhshme. Nevojat më të mëdha komuniteti i këtyre zonave i ka për gjënë e gjallë, pasi rezervat janë të pakta.