U arrestua se kërkohej nga Italia, pse Gjykata la të lirë gruan e Mirit të Xhikes

0
578

Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e djeshme masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ishbashkëshortes së Mirit të Xhikes, e cila u arrestua tri ditë më parë nga Policia. Manjola Prifti rezulton se është dënuar në Itali me 7 vjet e 3 muaj burgim për “pjesëmarrje në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Mirëpo, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar që ndaj Priftit të caktohet një masë e lehte sigurimi, pasi ajo nuk përbën rrezik për shoqërinë. Çështja është gjykuar nga gjyqtari Arben Micko, që pranoi kërkesën e Prokurorisë, shkruan “Panorama”.

E veja e Fatmir Ramës, Manjola Prifti, ishte arrestuar edhe më parë për të njëjtin qëllim nga ana e Policisë së Tiranës. Më 29 maj të vitit 2012, ajo u prangos në një lokal që ishte në pronësinë e saj, në Vaqar të Tiranës, gjatë një operacioni të skuadrës së Operacioneve Speciale.

Burime nga Policia thanë në atë kohë se prej tri ditësh, autoritetet italiane kishin sjellë një urdhërarrest për arrestimin e Manjola Priftit, pasi në prill të atij viti, ajo ishte dënuar në mungesë me 11 vjet burg, me akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” në bashkëpunim dhe “pastrim parash”.

Menjëherë pasi urdhërarresti i autoriteteve italiane iu vu në dispozicion për ekzekutim Policisë së Tiranës, oficerët e Kërkimit dhe ata të Forcës së Posaçme nisën verifikime e hetimet në terren për arrestimin e saj. Policia deklaronte se Manjola Prifti ishte dënuar nga Gjykata e Romës, më 27 prill 2012, pas një procedimi penal që kishte nisur ndaj saj në vitin 2005.

Në mungesë të saj, Gjykata italiane kishte vendosur dënimin me 11 vjet heqje lirie, për akuzat “trafik ndërkombëtar droge” në bashkëpunim dhe “pastrim parash”. Ndërsa, sipas të njëjtave burime nga Policia, vendimi i Gjykatës, ende nuk i është vënë në dispozicion palës shqiptare, por pritej që të mbërrinte brenda pak ditësh, në mënyrë që Prifti të përballej me togat e zeza në Gjykatën e Tiranës.

Tashmë, dënimi në Itali ka marrë formë të prerë dhe e dënon atë me 7 vjet burg. Manjola Prifti ka qenë e shpallur në kërkim nga Policia italiane që prej vitit 2003. Në shkurt të vitit 2003, në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, mbërriti një kërkesë nga drejtësia italiane nëpërmjet zyrës së kontaktit Interforce dhe sipas të dhënave hetimore, Fatmir Rama kërkohej në shtetin italian, se ishte pjesëtar i një grupi trafiqesh të paligjshme. Por ai u ekzekutua një muaj më pas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here