Basha “mea culpa” para 7500 delagatëve në Kuvend

0
471

Kryetari i Partisë Demokratike bëri një “mea culpa” para 7500 delagatëve të Kuvendit Kombëtar për disa vendime që ka marrë deri më sot si kryetar i Partisë Demokratike.

Në fjalimin 60 minutësh, për herë të parë Basha foli hapur dhe pranoi se demokratët dështuan në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, duke marrë mbi vetë përgjegjësinë.

Basha: Ne nuk ja dolëm të kurorëzonim me sukses betejën tonë historike për ti dhënë vendit zgjedhje të lira dhe të ndershme por gjithçka që kam bërë e kam bërë me qëllimin për tu shërbyer njerëzve, i bindur për problemet dhe rreziqet që u kanoseshin atyre dhe vendit. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia të diktuara nga rrethanat, koha dhe gjendja në të cilën ndodheshim. Përvoja është një mësuese e dashur, thoshte Frenklin. Unë kam besimin se së bashku me ju duke mësuar nga gabimet do ta fuqizojmë partinë tonë dhe do ta kthejmë atë në parti fituese sepse PD është shpresa e vetme për shqiptarët në këto kohë të vështira për vendin.

Tek përgjegjësitë personale, Basha listoi edhe marrëveshjen e 18 majit me kryeministrin Rama, por këtu tha ai, ishte nën presion të ndërkombëtarëve dhe u detyrua të zgjidhte dëmin më të vogël.

Basha: Marrëveshja e 18 majit nuk ishte zgjidhja optimale por në fakt ishte e keqja më e vogël nën trysninë e madhe ndërkombëtare, ndërkohë që narkoshteti e kishte bërë punën e tij, ndërkohë që fushata elektorale kishte nisur dhe vendin tonë në parlament do ta zinin partitë pseudo-opozitare, bashkë me aleatët ne u detyruam të pranonim propozimin e fundit të aleatit tonë strategjik, SHBA.

Duke e cilësuar Kuvendin Kombëtar si moment të rëndësishëm, Basha ftoi demokratët që bashkë të nisin një rrugëtim të ri.

Basha: Në këtë Kuvend të madh Kombëtar duke lënë pas humbjen dhe zhgënjimin le të shikojmë njëri-tjetrin sot në sy dhe të themi njëzëri në këtë sallë, e të buçasë në mbarë Shqipërinë: Kurrë më! Ja ku jemi bashkë me mijëra demokratë të gatshëm për të nisur një tjetër rrugëtim të madh dhe të suksesshëm për PD dhe për Shqipërinë europiane.

Në këtë moment kryetari i opozitës, Lulzim Basha, kishte një thirrje edhe për kritikët e tij të cilëve u shtriu dorën e bashkëpunimit.

Basha: Përgjatë muajve të fundit ka pasur edhe akuza e sulme personale, kam zgjedhur të mos u përgjigjem këtyre sulmeve sepse si kryetar partie më takon mua të parit të jem më i duruar dhe më i matur dhe të mos i përgjigjem luftës personale me inat dhe luftë nga karrigia e kryetarit.Ndaj dua sot sërish nga ky Kuvend i madh t’i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuojë dhe të bashkohet me ne për t’i kthyer këtij vendi shpresën dhe besimin tek e nesërmja. Dora ime do të jetë e shtrirë jo për pazare as për poza fotografike por që së bashku të ndërtojmë rrugën tonë drejt suksesit i bindur se do të jetë më e lehtë të ndërtojmë urat që na bashkojnë se të gërmojmë hendeqet që na ndajnë. Politika është më e rrezikshme se lufta thoshte Churchill sepse në luftë vritesh vetëm një herë por kjo nuk më ka trembur as stepur se kurrë nuk e kam parë dhe as nuk do ta shoh politikën dhe as detyrën e kryetarit si një karrike privilegji.

Përtej problemeve të brendshme, në fjalimin e tij të gjatë që rrallë herë e gjen në diskursin politik përveç protestave, Basha foli edhe për problemet që sipas tij shqetësojnë sot shqiptarët, varfërinë, taksat e larta, krimi dhe korrupsioni.

Në Kuvend ishin të ftuar edhe aletatë, jo vetëm ata që u zgjodhën në listat e PD-së por edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here