Holanda skeptike, 7 deputetë: Duam rezultate në luftën ndaj krimit

0
535

Kur na ndajnë pak më shumë se një muaj nga vendimi përfundimtar, Holanda është një nga vendet më skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe që mendon se vendi ynë nuk është gati për këtë proces.

Një grup deputetësh holandezë ndodhen në Tiranë për një raport fakt-mbledhës para se parlamenti i vendit të tyre të marrë një vendim.

Dhe pas takimit me kreun e qeverisë dhe më pas me kreun e Partisë Demokratike dhe deputetë të tjerë e shoqërinë civile ata kanë thënë pa asnjë mëdyshje se qeveria e tyre është ekstremisht hezituese për të hapur negociatat me Shqipërinë.

Pieter Omtzigt: Është  bërë një propozim nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave dhe për këtë qeveria jonë e ka  tashmë pozicionin e saj të shprehur dy javë më parë. Qeveria jonë është ekstremisht hezituese dhe është më hezituese se vendet e tjera në BE.Por nuk është vetëm në këtë situatë. Nëse shohim Francën dhe Gjermaninë do të shihni hezitim për të hapur negociatat. Prandaj ne si parlament vendosëm të organizojmë këtë mision fakt-mbledhës me anëtarë të 7 partive holandeze, të gjitha partitë kryesore janë këtu. Më pas ne do të kemi një debat sesi po shkon zbatimi i 5 prioriteteve.

Deputeti,Pieter Omtzigt,nga Partia Kristian Demokrate është pyetur nga gazetarët dhe për çështjen hetimore ndaj ish-Ministrit Tahiri.

Pieter Omtzigt: Ne i kemi vëzhguar këto raste por do të ishte shumë e çuditshme nëse ne kërkojmë nga njëra anë që të kemi një gjyqësor të pavarur dhe në anën tjetër të flasim për një emër të veçantë që duhet të shkojë në burg. Është një mesazh që nuk do ta dëgjoni. Nuk mund të thuash që ai person duhet të shkojë në burg, pasi merr ekzakt të kundërtën e asaj që kërkohet, çka përkon me pavarësinë e gjyqësorit.

Ora News mëson se brenda takimit, deputetë të opozitës janë shprehur se BE duhet të mbështesë rekomandimin për negociata, kjo si instrument kontrolli mbi qeverinë.

Deputetët e opozitës janë përballur me pyetje të shumta nga kolegët në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në vendin tonë.

Po të njëjtat burime theksuan se deputetë të parlamentit holandez kanë nënvizuar se një vendim përfundimtar në lidhje me negociatat do ta marrin pasi të konsultohen me të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here