Si të përfitoni pension kur nuk i keni vitet e plota

0
849

Për të përfituar një pension të plotë, të moshuarit duhet të plotësojnë dy kushte kryesore, që janë mosha dhe vjetërsia në punë. Kjo kategori mund të sigurohet për vitet e mbetura për të marrë përfitim të pjesshëm apo të plotë, sipas rastit.

 

 

Aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi, por që u mungojnë 1 ose disa vite sigurimi. Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin. “Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm.

Shumë persona mund ta kenë plotësuar vjetërsinë për 15 vjet pune për të marrë një pension të pjesshëm, por është më me interes të plotësojnë 35 vjet pune për të marrë një pension të plotë pleqërie”, thekson ISSH.

Edhe këta individë mund “të blejnë vitet e punës” menjëherë për t’u shtuar vitet e siguruara. Për të gjithë emigrantët, me interes do të ishte edhe njohja me vazhdimësinë e sigurimit vullnetar, duke paguar kontribute çdo vit. Është në interes të të gjithë personave, që skema iu ofron këtë shërbim të njihen me mundësinë e pagesave dyfish, trefish, deri në pesëfish të kontributit minimal, sipas mundësive financiare për të përfituar deri në pension maksimal të pleqërisë.

Pagesa e sigurimit vullnetar
Personi i interesuar paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku ai banon dhe merr kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar.

Ai duhet të ketë me vete këto dokumente: 

fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit;
fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon;
fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit.

Nëse personi i interesuar bie dakord për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore.

Shembuj konkretë
Një person që është në prag të mbushjes së moshës, ose e ka mbushur moshën që të jetë në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vjet periudhë kontribuuese të siguruar. Në rast se personi ka 12 vjet periudhë kontribuuese, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme, duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën trevjeçare. Masa kontribuuese që do të derdhë qytetari për këtë periudhë është 5 184 lekë për një muaj.

Në rastin kur qytetari nuk e ka mbushur moshën, ai mund të blejë periudhë kontribuuese sa të dëshirojë. Në rastet kur blihen periudha të kaluara, nuk aplikohet zbritje. Ndërkohë, nëse një qytetar i datëlindjes 1949 i ka shkëputur marrëdhëniet e punës në 30.09.2006. Gjithsej ka 32 vite e 6 muaj vjetërsi pune.

Sa duhet të paguajë për të përfituar një pension të plotë pleqërie? Në përgjigje të pyetjes së qytetarit sqarojmë se për të përfituar një pension të plotë pleqërie duhen 35 vite sigurim, pra atij i nevojiten edhe 2 vite e 6 muaj për ta përfituar këtë pension. Nëse personi, duke filluar pas datës 30.09.2006 e në vazhdim ka periudha të pambuluara me sigurim, atëherë ai mund të bëjë sigurim vullnetar për këtë periudhë duke paguar: 30 muaj * 4,752 lekë/muaj = 142,560 lekë.

Emigrantët jashtë Shqipërisë
Nëse qytetari ka 13 vite e 3 muaj të siguruara, atëherë atij i duhen edhe 1 vit e 9 muaj të bëjë sigurim vullnetar për të përfituar pension të pjesshëm.
Nëse qytetari do të plotësojë vitet për pension të plotë pleqërie, atij duhen edhe 21 vite e 9 muaj për të siguruar.

Duke qenë se qytetari nuk ka librezë pune, ai duhet të drejtohet pranë zyrave të arkivës në DRSSH, ku ai ka gjendjen civile për të marrë prej andej dokumentin e duhur.

Për të marrë pension të pjesshëm, nëse do të mbulojë periudha të kaluara me sigurim vullnetar, ai duhet të paguajë me masën aktuale të sigurimit vullnetar, që është në fuqi 4,752 lekë për një muaj, kështu që 21 muaj* 4,752 lekë /muaj = 99,792 lekë gjithsej.

Nëse ai dëshiron të plotësojë 35 vite për një pension të plotë pleqërie, atëherë ka të drejtë të mbulojë me sigurim vullnetar me masën aktuale nga 01.10.1993, të gjitha vitet deri sa të plotësojë vjetërsinë e nevojshme. Vazhdimi i sigurimit mund të bëhet duke parapaguar për vitin korrent, duke përfituar kështu dhe zbritjet përkatëse.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here