Njohin tvsh-në për biznesin, por nuk e rimbursojnë

0
620

Represioni i administratës tatimore mbi bizneset ka marrë përmësa tronditëse. Syri.net publikon dokumenta zyrtarë që tregojnë se dhuna e administratës tatimore mbi bizneset ka vendosur preçedentë të pashënuar më parë në kundërshtim të plotë me ligjin, ku Tatimet njohin tvsh të kreditueshme për biznesin, por nuk e rimbursojnë atë. Ky fakt pranohet zyrtarisht edhe nga vetë drejtoresha e Tatimeve, por edhe Ministria e Financave.

Në shkurt të këtij vitit duke parë parregullsitë e shumta dhe shkeljet e ligjit nga drejtoritë rajonale të Tatimeve, Drejtoresha e Përgjithshme Vasilika Vjero ka lëshuar një Urdhëresë “Për Rregullshmërinë dhe Zbatimin e kërkesave Ligjore në Kontrollet Tatimore për Rimbursimin e TVSH-së”.

Në dokumentin zyrtar që publikon nga Syri.net zonja Vjetor konstaton parregullsi serioze dhe shkelje të ligjit nga administrata gjatë kontrolleve mbi biznesin.

“Në disa raste inspektorët e kontrollit arrijnë në konkluzione të pasakta dhe të pambështetura në ligj. Ka raste kur në përfundim të këtyre kontrolleve është arritur në konkluzionin se teprica kreditore e TVSH-së e kërkuar nga Tatimpaguesi është e kreditueshme, por jo e rimbursueshme,” thuhet në Urdhëresën e lëshuar nga Drejtoresha e Tatimeve.

E thënë me fjalë të tjera, tatimorët pranojnë që TVSH është e kreditueshme, por jo e rimbursueshme, për të mos ja kthyer atë biznesit. Kjo situatë, gati groteske, përveçse dëshmon arbitraritetin dhe dhunën e administratës tatimore ndaj biznesit, është edhe një tregues i qartë i mungesës së profesionalizmit të kësaj administrate.

Çdo TVSH që njihet si e kreditueshme për një biznes, është automatikisht e rimbursueshme dhe tatimet duhet t’ja kthejnë atë biznesit. Por inspektorët e tatimeve kanë vepruar krejtësisht në shkelje të ligjit duke mos e njohur si të rimbursueshme.

“Ky interpretim është i gabuar dhe i pabazuar në ligj. Ligji për TVSH-në dhe udhëzimi I Ministrit të Financave e shprehin qartë se shuma e TVSH-së për blerjet apo importet, që i shërbejnë aktivitetit të tatueshëm është e kreditueshme dhe për rrjedhojë edhe e rimbursueshme,” pranon Vjero në urdhëresën e lëshuar për drejtorët rajonal të Tatimeve.

Syri.net ka mësuar se një nga drejtoritë më problematike në këtë drejtim është ajo e Tiranës. Bizneset ankohen se Drejtoria e Tatimeve të Tiranës nuk e kthen TVSH-në edhe kur e njeh atë si të kreditueshme në kundërshtim të plotë me ligjin.

Ky veprim i qëllimshëm dëmton rëndë bizneset dhe klimën e investimeve në vend. Është kjo një prej arsyeve se pse vetëm pak ditë më parë, Departamenti I Shtetit, e cilësoi Shqipërinë si një vend me klimë të rënduar investimesh, ku biznesi i ndershëm përballet me korrupsionin e lartë të administratës dhe favorizimin e një grushti oligarkësh nga qeveria.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here