Presidenti Ilir Meta takon gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli

0
545

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, priti në një takim të veçantë ish-Drejtorin e VOA-s për Euro-Azinë dhe ish kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), z. Frank Shkreli, njëkohësisht edhe autor i tre vëllimeve “Demokracia nuk pret” që u promovua dy ditë më parë.

Duke shprehur konsideratën e lartë për z. Shkreli, kreu i shtetit shqiptar z. Ilir Meta theksoi vlerat publicistike, intelektuale dhe analizat e z.Shkreli, të cilat janë shumë dimensionale, me thellësi për trajtimin e çështjeve dhe një mbrojtës i lirisë, fjalës së lirë dhe të drejtave të njeriut.

Pa dyshim që çështja kombëtare, zë një vend të veçantë në analizat e z.Shkreli dhe se roli i tij dhe VOA-s ishin shpresa e madhe që mbajtën gjallë ëndrrat e shqiptarëve gjatë kohës së diktaturës dhe që u bënë realitet në fillim të viteve ’90 për liri dhe demokraci, ashtu sikurse u vu në dukje nga folës të ndryshëm në promovimin e tre vëllimeve “Demokracia nuk pret”.

Nga ana e tij, zoti Frank Shkreli, falënderoi Presidentin Meta për pjesëmarrjen e tij në promovimin e tre vëllimeve të librit “Demokracia nuk pret”.

Gjatë bashkëbisedimit me z. Shkreli, Presidenti Meta u interesua për zhvillimet në komunitetin shqiptaro-amerikan, traditën dhe rolin historik që ka luajtur komuniteti shqiptaro-amerikanë prej kohës së Fan. S. Nolit dhe Faik Konicës në forcimin e marrëdhënieve të dy kombeve tona.

Njoftohet se gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet vjetore të OKB-së, Presidenti Ilir Meta do të takohet edhe me organizata dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Në fund të takimit z. Frank Shkreli i dhuroi Presidentit të Republikës botimet e tre vëllimeve “Demokracia nuk pret”.

Lidhur me këtë takim, kreu i Shtetit ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook” një foto nga takimi me z. Frank Shkreli.

“Kënaqësi të prisja z.Frank Shkreli, personalitet i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili më dhuroi tre vëllimet e “Demokracia nuk pret”. Biseduam për kontributin që mund të japë në të ardhmen komuniteti shqiptar në SHBA për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve si edhe për zhvillimin e Shqipërisë”- shkruan në shënimin e tij, Presidenti Ilir Meta.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here