Task Forca Antikorrupsion shkund Shkodrën, Gjonaj: 21 masa disiplinore, 7 të kallëzuar në Prokurori

0
1326

Tiranë- Gjashtë institucione në Shkodër, mes tyre Hipoteka, ALUIZNI dhe spitali janë shkundur nga Task Forca Antikorrupsion e cila ka zhvilluar kontrolle dhe inspektime në institucionet që ofrojnë shërbime ndaj publikut, sipas një skeme të ndërtuar mbi bazën e denoncimeve të bëra nga qytetarët, në platformën e bashkëqeverisjes Shqipëriaqeduam.al.

Rezultatet e aksionit në dy javë i ka bërë të ditura vetë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, sipas së cilës vetëm në dy javët e para të muajit shtator janë ndërmarrë 21 masa disiplinore, prej të cilave 9 largime nga puna. Po ashtu ka shtatë zyrtarë të kallëzuar në Prokurori.

Vetëm në dy javët e para të muajit shtator, Task Forca Antikorrupsion, e ka përqëndruar veprimtarinë e saj me inspektime të detajuara në disa institucione të rrethit të Shkodrës si:

• ZVRPP Shkodër
• ALUIZNI Drejtoria Rajonale Shkodër
• Spitali Rajonal Shkodër
• Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Rajonit Verior
• Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës Shkodër

Grupet e kontrollit në raportet përfundimtare të kontrolleve kanë rekomanduar 21 Masa disiplinore, prej të cilave 9 largime nga puna për:

• Regjistruesin dhe 6 specialistë në Zyrën Vendore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër;
• 1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist në ALUIZNI Shkodër

Ashtu si dhe për rastin e bërë publik dje në ZVRPP Shkodër, në të cilën u ndalua Regjistruesi dhe juristja, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës qëndrore u vendos shkarkimi i menjëhershëm i Rregjistruesit Shkodër dhe specialistes të kësaj zyre.

Nga inspektimet e kryera me grupe ndërinstitucionale, janë evidentuar shkelje dhe abuzime të cilat përmbajnë elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, për të cilët janë kryer kallzimet penale në organin e Prokurorisë së Shkodrës.

Konkretisht janë kryer kallzime penale për punonjësit e niveleve të ndryshme, ndër të cilët janë:

• Ish- Drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime që kanë cënuar garantimin e ushtrimit të veprimtarisë të institucionit në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, shkelje të rënda në procedurat e evadimit të mbetjeve spitalore si dhe garantimin e furnizimit me medikamentet e nevojshme.
• Ish – Drejtori i ALUIZNI Shkodër, 3 ish – përgjegjës sektori, 1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist, të këtij institucioni, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave për rastet e legalizimeve si dhe në shkelje të afateve;

Task Forca Antikorrupsion mbetet e fokusuar në vlerësimin maksimal të çdo denoncimi apo informacioni të ardhur nga qytetarët, për të verifikuar shqetësimet apo problemet e tyre dhe për të vënë përpara përgjegjësisë elementët e korruptuar në institucionet e shtetit.

Qytetarët duhet të vijojnë me denoncimet e tyre pranë platformës shqipëriaqëduam.al, me qëllim që të luftojmë korrupsionin dhe për të mos lënë asnjë mundësi për të gjithë ata elementë që e shohin punën në administratën shtetërore si një mundësi për të krijuar përfitime të paligjshëm.

Angazhimi i përbashkët institucional nëpërmjet institucioneve ligjzbatuese vazhdon, duke treguar vendosmëri të shtetit për të goditur aktet korruptive dhe abuzimet me detyrën të administratës publike në kurriz të qytetarëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here