U dekonspirua opiumi, nis hetimi për policët në Has, prangoset tregtari turk

0
672

Një biznesmen turk në fushën e tekstileve është i arrestuari i gjashtë në lidhje me laboratorin e heroinës në Has, ndërsa të paktën tre persona nga vendet e Lindjes së Mesme janë ende në kërkim.

Emri i turkut të arrestuar ende nuk bëhet i ditur, por burimet pranë grupit hetimor thonë aktiviteti i tij përdorej si maskim për të sjellë në vendin tonë nga Turqia opium, që përdorej për përgatitjen e heroinës brenda laboratorit në Has.

Kryesisht bima e opiumit kultivohet në Afganistan dhe dyshohet se në vendin tonë ka ardhur përmes rrugës Afganistan-Turqi-Kosovë-Shqipëri.

Në laboratorin e Hasit, ajo përpunohej dhe me pas hidhej në treg me destinacion Gjermaninë dhe vende të tjera të BE-së.

Agjencitë ligjzbatuese tregohen të rezervuara në detaje për shkak të sekretit hetimor, por mësohet se në kërkim është personi që përgatiste heroinën, i njohur ndryshe si kimisti.

Edhe ai dyshohet se mund të jetë një shtetasi huaj, ashtu si në rastin e laboratorit të Xibrakës.

Më herët gjatë operacionit u arrestuan Xhavit Shuti, Mustaf Shuti, Anila Shuti, Flamur Bisho Çela dhe Vehbi Barushi.

Laboratori ishte ngritur në një shtëpi në fshatin Brenogë, i cili lidhet me qytetin përmes një rruge të paasfaltuar.

Objekti mësohet se ishte në pronësi të Xhavit Shutit, i cili pas arrestimit ka dëshmuar se e kishte dhënë me qira ambjentin e magazinës por nuk dinte se çfarë ndodhte brenda.

Në brendësi të laboratorit, policia gjeti të paktën 160 pako drogë me peshë 150 kg, të dyshuar si opium dhe heroine, e paketuar dhe e gatshme për transport.

Për shkak të largimit të financuesve dhe organizatorëve të këtij aktiviteti, Prokuroria dhe Policia po verifikojnë dhe mundësinë e dekonspirimit të operacionit.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here