‘Vatican News’, mbi takimin e Papës me shqiptarët në nderim të Skënderbeut

0
649

550 vjet pas vdekjes së Heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Papa Françesku priti kardinalin shqiptar, ipeshkvijtë e krerët e feve të tjera, politikanët dhe artistët nga Shqipëria e trevat shqiptare. Disa prej tyre, në mikrofonin tonë, shkruan Radio Vatikani.

Festë e madhe e shqiptarëve dje në Vatikan e në Romë. Siç ju kemi njoftuar, një grup prej 200 vetësh u takua pasdite me Papën Françesku, ndërsa në mbrëmje, në Teatrin Argjentina të Romës, shqiptarët u mblodhën rreth artistëve të tyre më të njohur në botë, për të kremtuar së bashku Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në 550-vjetorin e vdekjes. Për ambasadën pranë Selisë së Shenjtë – e ngarkuara me punë e së cilës, zonja Majlinda Dodaj, qe organizatorja kryesore e ditës së djeshme – u mbyll kështu Viti mbarëkombëtar kushtuar luftëtarit të madh, që në shekullin XV i bashkoi shqiptarët në luftën kundër turqve otomanë.

Fjalët e Papës Françesku

“Sot, – u tha Papa Françesku shqiptarëve të mbledhur në Sallën Klementine në Vatikan – kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”. Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar”.

Duke u kërkuar shqiptarëve të mos flenë mbi dafinat e së kaluarës, por të shfrytëzojnë cilësitë më të mira të identitetit të tyre kombëtar për të ndërtuar të ardhmen, që askush të mos jetë i detyruar të emigrojë, Ati i Shenjtë nënvizoi:

“Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet”.

Intervistat tona me të pranishmit: kard. Simoni, kryegjyshi i bektashinjve, artistë e të tjerë

Në mbrëmje, të gjithë shqiptarët u zhvendosën nga Vatikani në Teatrin Argjentina të Romës, ku tinguj të magjishëm u kujtuan identitetin për të cilin luftoi Skënderbeu. Nëse nga njëra anë tenori Ramë Lahaj e ndezi sallën me këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime” të Feim Ibrahimit, Erza Muqolli – vogëlushja shqiptare, që jeton në Francë – këndoi “Hallelujah”, duke u kujtuar të gjithëve binomin “fe e atdhe”. Pastaj, autorë klasikë e pop; “Ave Maria” e interpretuar nga violinisti Olen Cesari dhe “Adagio” e kënduar nga Elhaida Dani; “Homesick” e Dua Lipës dhe Ermal Meta, që i bëri një suprizë publikut duke mos kënduar të mirënjohurën “Non mi avete fatto niente” por një këngë tjetër; Inva Mula me këngë arbëreshe dhe Genc Tukiçi me fantazinë “Për Papën Françesku”, balerinët Kledi Kadiu e Ilir Shaqiri.

Para dhe pas takimit me Papën Françesku, ua drejtuam mikrofonin shqiptarëve të pranishëm, për përshtypjet dhe emocionet e tyre. Folën kardinali Ernest Simoni, përfaqësues katolikë e kryegjyshi i bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, por edhe artistë si Ermal Meta e Kledi Kadiu, sportistë të njohur si Igli Tare e shumë të tjerë./Vatican News

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here