Deputetet e LSI, Ramës: Matu mirë para se të prekësh shtëpitë e shqiptarëve

0
739

Në mbështetje të protestës së qytetarëve në Unazën e Re, ishin edhe deputetet e LSi-së, Nora Malaj dhe Kejdi Mehmetaj.

Në një prononcim për mediat, Malaj theksoi se ka ardhur koha që qeveria tu shërbejë qytetarëve dhe jo kriminelëve. Ajo ka kërkuar nga Rama që të zgjidhë problemin e qytetarëve.

‘Sot jemi këtu në mbështetje të banorëve të zonës të cilët më shumë se sa kurrë, sot i kërkojnë Qeverisë që të ketë veshë të dëgjojë, të ketë sy të shikojë dhe të kuptojë që kur gratë tundin djepin ato e lëkundin edhe shtetin.

Sot ka ardhur momenti i zgjidhjes së problemeve të qytetarëve shqiptarë, në mënyre që shqiptarët të mos quhen emigrantë që jetojnë në shtetin e tyre.  Sot ka ardhur momenti që çdo taksapaguesi në Jug dhe në Veri, t’i shpërblehet e drejta e tyre, e drejta e shtëpisë dhe e drejta e ekzistencës së tyre.

Sot ka ardhur momenti që të mos tallemi as me Rrugën e Kombit, as me qytetarët që jetojnë në Tiranë, as me ata që e duan këtë vend dhe janë qytetarë që punojnë dhe vlerësojnë për të drejtat e tyre. Ne jemi të gjithë këtu sot për t’i mbështetur këta banorë. Dhe nuk duam ta politizojmë këtë kauzë, por duam t`i tregojmë qeverisë që qeveria është e shqiptarëve dhe jo e oligarkëve. Nëse e duan popullin, të vijnë këtu, të ulen me ta, ta zgjidhi sa nuk është vonë se kjo nuk është beteja e tyre, por kjo është beteja e gjithë shqiptarëve nga jugu në veri pasi Tirana është e shqiptarëve, Shqipëria është e shqiptarëve dhe nuk është e mercenarëve.

Sot vendi është kthyer si lëndina e lotëve, ku qau vajza ku vrau gishtat, ku qan nëna e një djali që i hyri në burg, kur qau djalin që kërkon ndihmë për të jetuar dhe tek ne sot po shfaqet një luftë civile. Ndaj, të bëhemi të gjithë bashkë për t`i dhënë fund kauzës së mashtrimit dhe për t`i dhënë zgjidhje problemit. Me zgjidhjen e problemit ne bëjmë atë që nuk quhet më qeveri e krimit, por qeveri e qytetarëve dhe për qytetarët. Po, ne jemi sot këtu dhe jemi njëzëri fuqishëm, se jemi me duar të pastra, jemi me shpirt të pastër dhe jemi për çdo njeri për çdo qytetar dhe për çdo familjar të Republikës së Shqipërisë’, tha Malaj.

Ndërkohë që Mehmetaj ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se duhet të matet mirë para se tu prekë shtëpitë shqiptarëve.

‘Banorët të jenë të bindur që ne do të jemi këtu me ta, do të jemi krah tyre. Në fakt jo vetëm ne, por të gjithë qytetarët shqiptarë. Sepse sot të gjithë qytetarët shqiptarë janë banorë të Unazës së re. Në fakt nuk ka asgjë më të keqe për familjet shqiptare sesa të të marrin strehën pronën dhe shtëpinë, që e ke paguar me djersë dhe me gjak dhe me të cilën mban fëmijët e tu. Dhe kushdo që vjen dhe guxon e prek shtëpinë e shqiptarit, duhet të matet mirë. Sepse nuk do përballet jo vetëm me qytetarët këtu, por do përballet edhe me qytetarët e të gjithë Shqipërisë. Pa u bërë shpronësimi i pronave 100% me çmimin e tregut dhe pa u zbardhur afera korruptive e jashtëzakonshme që po ndodh këtu me rrugën e Unazës së Re, as ky kryeministër nuk mund të shkeli në shtëpitë e banorëve. Dhe ky është një cak që nuk duhet kaluar dhe të mos provojë njeri që ta kalojë.

A do vazhdojë Lëvizja Socialiste për Integrim të mbështesë çdo ditë protestën e banorëve?

Padyshim që do të jemi këtu. Do të jemi me ta nga mëngjesi deri në darkë, sepse nuk është vetëm problemi i pronës. Tani fëmijët e tyre janë të arrestuar, por jo vetëm. Po dhunohen si kafshë nga oficerët e policisë duke i zvarritur nëpër rajone. Burrat e tyre janë të arrestuar. Gra e nëna, të cilat nga dhuna që është ushtruar ditëve të protestave kanë plagë në trup. Kështu që ne jemi me ta nga mëngjesi deri në darkë dhe do jemi krah tyre në çdo moment të kësaj sfide, që është mbi çdo sfidë tjetër’, deklaroi Mehmetaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here