Socialistët pritet të kenë një votim jo të lehtë për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Propozimi i kryeministrit për të zgjedhur ish-ministrin e financave Ridvan Bode si anëtar është shoqëruar me komente të shumta.

I pyetur në lidhje me emrat e propozuar nga qeveria kryetari i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, thotë se fakti që emrat janë propozuar nuk do të thotë se janë zgjedhur.

“Gjithsecili që vjen në komision është kandidat. Në qoftë se jeni mësuar me faktin që ai që propozohet u bë e keni gabim. Në këtë komision ka ndodhur që janë rrëzuar edhe 20 kandidatë për institucione të rëndësishme. Vlerësim për asnjë individ unë nuk kam. Vlerësimin e bën komisioni dhe më pas deputetët me votë në parlament. Mos më kërkoni të shprehem për njerëz që do dëgjohen në komision ekonomie”, deklaroi Braçe.

Por që të plotësohen 6 vendet e mbetura në këshill duhet që deputetët e kuvendit qofshin të majtë apo të djathtë të propozojnë edhe 3 kandidatë. Kryetari i Ekonomisë Erion Brace thotë se ka zhvilluar një takim me nënkryetaren e komisionit, demokraten Jorida Tabaku por ende nuk kanë dalë emra konkretë.

“Po është e vërtet unë dhe Znj.Tabaku si drejtues të këtij komisioni jemi takuar por në asnjë rast as nga ajo as nga unë nuk kemi folur për emra qofshin të së majtës qoftë dhe për emrat që vijnë nga deputetë të djathtë. Janë deputetët që nga lista e madhe e të vetëpropozuarëve duhet të propozojnë me 28 firma kandidatët e mundshëm për 3 vendet vakante në BSH, ky proces nuk ka ndodhur”, tha deputeti i PS.

Banka e Shqipërisë po përjeton një situatë të paprecedentë në historikun e saj. Aktualisht ky institucion është gjysmë i paralizuar, pasi Këshilli Mbikëqyrës i saj, i cili është organi më i lartë vendimmarrës nuk funksion. 6 anëtarëve të Bordit të Bankës Qendrore, Elisabeta Gjonit, Ela Golemit, Dhori Kules, Petraq Milos, Arben Malajt dhe Denada Priftit iu ka përfunduar mandati duke e bërë të pamundur thirrjen e një mbledhjeje.

LEAVE A REPLY