Debati për PPP-të, 5 përgjigjet e munguara

0
465

Nga: Edmond Haxhinasto

Debati për PPP-të (Partneriteti Publik Privat) vazhdon. Së fundmi, EURODAD, një njësi e specializuar që monitoron borxhin dhe zhvillimin, e përbërë nga 47 organizata nga 20 vende evropiane, ka sjellë vlerësimin e saj shumë kritik. Tërheqin vëmëndjen eksperiencat e dështuara në 10 vende të ndryshme, mes tyre, edhe vende si Franca dhe Suedia.

Për Shqipërinë, raporti konkludon se “disa praktika kontabël, i lejojnë qeverisë të mbajnë koston e projektit dhe detyrimet e saj të kushtëzuara“ jashtë bilancit”(lexo- jashte borxhit publik. Shënimi im E.H.). Kjo përfundon duke ekspozuar financat publike ndaj rreziqeve të tepërta fiskale”. Në fakt kjo është pikerisht çka kemi kundërshtuar dhe sjellë në vëmendje të qeverisë. Këtë kanë bërë edhe organizata ndërkombëtare si FMN.

Në vijim dhe përtej mbështjetjes së konluzioneve të këtij raporti, mendoj se problemet kryesore të PPP qëndrojnë në 3 çështje kryesore:

1. Kosto e tyre e lartë, e lidhur pazgjidhshmërisht me a) pakonkurrueshmërinë në përzgjedhjen ofertes fituese dhe b) me koston e lartë të parave të përdorura nga privati. PPP janë oferta të pakërkuara. D.m.th, operatori privat bën një propozim për të ndërtuar një vepër publike, ose të ofrojë një shërbim publik, me një kosto të caktuar. Pjesë e ofertës është edhe mënyra se si privati do t’i marrë paratë mbrapsht paratë e investuara, plus normën e fitimit. Format jane te ndryshme, por kanë një të perbashkët, paratë i paguhen privatit nga buxheti i shtetit. Vendim-marrja për këtë ofertë të privatit kryhet pas një procesi negociatash midis privatit dhe përfaqësuesve të sektorit publik. KËTU qëndron problemi i parë. Oferta më e mire nuk vjen si pasojë e konkurrimit të hapur mes privatëve, të cilët japin ofertat më të ulta të mundshme për të fituar tenderin. Këtu konkurrimi nuk ekziston, dhe si pasojë oferta private e tejkalon në vlerë ofertën që do të vinte në një proces te hapur tenderimi. Pra, PPP-të jane forma e fshehur e prokurimit të drejtpërdrejtë.
Përsa i takon kostos se parave që mund të sigurojë privati (nga bankat), ajo është gjithnjë më e lartë (interes tregëtar) se kosto e parave që siguron qeveria pasi qeveria mund të gjejë para me interes të ulët zhvillimor. Gjë që nga qeveritë nuk është e vështirë të bëhet. (Sigurisht, përjashtohet këtu rasti që në PPP investohet nga privati për të pastruar paratë.) Prandaj, kosto e PPP-ve rritet edhe nga ky faktor, kosto e parave të investuara nga privati.

2. Cilësia e veprave apo shërbimeve. Dikush mund të thoshte se do ishte gati të paguhej një kosto më e lartë për nje cilësi infrastrukture apo shërbimi më të lartë. Por investimi nga privati ka qëllim të drejtperdrejtë të rrisë vlerën e fituar prej tij nga paratë e investuara. Ndryshe nga interesi dhe perspektiva e sektorit publik (apo qeverisë) e cila vlerëson impaktin social-ekonomik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë te veprës, interesi i privatit është që “jetëgjatësia dhe cilësia” e veprës së bërë prej tij të jetë deri në momentin që atij i kthehet investimi së bashku me fitimin. Pra, pa dashur të paragjykoj asnjë privat, interesi i tij është që vepra të funksionojë me cilësi pikërisht për këtë periudhë, dhe më pas, ai nuk ka asnje përgjegjësi dhe nuk është i interesuar. Këtu qëndron një kontradiktë tjetër e madhe.

3. Prioriteti. Një qeveri normalisht duhet të ketë listën e saj të prioriteteve, apo radhës se si dhe kur duhet investuar në veprat publike. D.m.th, cila vepër të investohet e para, e dyta, e kështu me radhë. Një radhe të tillë për infrastrukturen, e përcaktoi Samiti i Vjenës, në kuadër të Procesit të Berlinit, gjë që është detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë. Por, ajo që vëmë re është se ofertat e pakërkuara nga privati, nuk kanë lidhje me këtë listë të projekteve prioritare. Ndërkohë për privatin “Prioritare” vlerësohet çdo kontratë/konçesion ai mund të fitojë në këtë mënyrë (PPP) që u kthen investimin dhe fitimin. Pra, krijohen borxhe dhe detyrime publike ndaj privateve, por jo për realizimin e atyre veprave që janë prioritare dhe detyrim për vendin. Dhe këtu qëndron konflikti dhe kontradikta e tretë e madhe.

Unë mendoj se ‘dalldisë’ së PPP-ve i duhet dhënë fund. Ka një matës për të vlerësuar PPP-të. Është domosdoshmëri që të bëhen pyetjet e mëposhtme”

1. Në çfarë niveli shkon borxhi publik nëse i shtohen edhe pagesat vjetore për kontratat koncesionare PPP?

2. Sa është rritur kosto e veprave publike me PPP krahasuar me procese të hapura tenderimi?

3. Sa eshte rritur kosto e parasë së investuar nga privati?

4. Çfarë përgjegjësie ka privati për cilesinë e veprës pas përfundimit të kthimit të investimit dhe periudhes koncesionare?

5. A janë këto koncesione PPP, sipas rendit prioritar që ka strategjia e zhvillimit të vendit në sektorët e përkatës? 

Në përfundim, mund t’i referohem edhe një here raportit të EURODAD që u bën thirrje “të gjithë atyre që merren me drejtësinë, barazinë, qëndrueshmërinë dhe të drejtat e njeriut për t’i rezistuar shkeljes së PPP-ve dhe për të nxitur në vend të tyre shërbime publike me cilësi të lartë të financuar nga publiku, të kontrolluara në mënyrë demokratike dhe të përgjegjshme. Mirëqenia e bashkësive dhe shoqërive tona varet nga ajo.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here