Bursat amerikane janë zhvlerësuar me disa për qind brenda pak ditësh, duke arritur vlerat më të këqija të shtatë viteve të fundit. Shkak për rënien e konsiderueshme të aseteve të kompanive më të mëdha në botë janë bërë pezullimi i përkohshëm i punës së qeverisë amerikane, frika për një paqëndrueshmëri financiare të bankave kryesore në vend, dhe vendimi i bankës qendrore të Amerikës për të rritur normën bazë të interesit.

Bursat amerikane dhe aziatike në dy ditët e fundit kanë përjetuar rënien më të madhe të vlerave të tyre që nga viti 2011.

Indeksi i 500 kompanive të përzgjedhura nga agjencia e vlerësimeve, Standard & Poor‘s, ka rënë me 7.1% krahasuar me javën e kaluar, Nasdaq-u është ulur me minus 8.4%, ndërsa bursa e Nju-Jorkut ka fshirë 6.9% të indeksit të 30 kompanive më të mëëdha amerikane.

E njëjta situatë u raportua të martën edhe në bursën japoneze të Nikkei-t, e vetmja ende e hapur për Krishtlindje, ku vlera e aseteve u ul me 5% në orët e para të ditës.

Shkak për zhvillimet e fundit janë bërë situata politike në SHBA, por edhe përplasjet tregtare në ekonominë botërore.

Një shqetësim kryesor për investitorët mbetet paralizimi i pjesshëm i punës së qeverisë amerikane, pasi Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit demokratë nuk po arrijnë një akord për buxhetin 5 miliardë dollarësh për ndërtimin e një muri kufitar me Meksikën.

Frika për paqëndrueshmërinë financiare të bankave më të mëdha në vend, por edhe vendimi i bankës qendrore të Amerikës për të rritur normën bazë të interesit, e cila prek kryesisht kompanitë e vogla që kanë borxhe të larta, vijon të shqetësojë agjentët e bursave.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar së fundmi bankën qendrore se me politikat e saj për normëat e interesit po bëhet një rrezik për zhvillimin ekonomik të vendit, edhe më i madh sesa Kina.

LEAVE A REPLY