Ristrukturimi i PD, në janar zgjidhet Kryesia, nënkryetarët dhe sekretariatet

0
547

Java e tretë e janarit pritet të sjell një moment të rëndësishëm në Partinë Demokratike, finalizimin e procesit të ristrukturimit të saj. Në selinë blu do të zgjidhet kupola e re drejtuese, duke nisur me kryesinë, nënkryetarët dhe sekretariatet.

Në javën e tretë  të janarit, pritet që Partia Demokratike të finalizojë procesin e ristrukturimit të saj, duke zgjedhur Kryesinë, nënkryetarët dhe Sekretariatet.

Ndryshimet e reja statutore të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike pritet të çojnë në një ulje të ndjeshme të numrit të anëtarëve të kryesisë, nga 57 që ka aktualisht.

Paketa që kaloi në unanimitet i heq të drejtën 24 krerëve të Departamenteve drejtuesë të PD-së të jenë pjesë e këtij forumi.

Nga këto ndryshime, Kryesia e re nuk do këtë më disa prej figurave aktuale si Jamarbër Malltezi, i cili aktualisht mban postin e kreut të Departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit.

Pjesë e saj nuk do të jenë më as Florion Mima që kryeson Departamentin e Ekonomisë dhe Tregut, Sherefedin Shehu i Financave Publike apo dhe Suzana Guxholli që drejton Departamentin e Energjisë dhe Burimeve Natyrore.

Automatikisht ndryshimet e reja prekin edhe 8 prej deputetëve që aktualisht janë kryetarë apo nënkryetarë në komisionet parlamentare.

Listës së gjatë të atyre që nuk do jenë më pjesë e këtij forumi i shtohen edhe Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Genc Pollo, Bardh Spahia, dhe Tritan Shehu.

Po jo domosdoshmërisht këto figura nuk do të jenë pjesë e Kryesisë së re, për faktin se ata mund të garojnë për funksione drejtuese, apo mund të zgjidhen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, pasi në Kryesi statuti sanksionon që 15 anëtarë të jenë me garë.

Mësohet se kryetari Lulzim Basha, ka nisur lëvizjet e para duke kontaktuar kandidatët e mundshëm për kupolën drejtuese të Partisë Demokratike.

Finalizimi i ristrukturimit të Partisë Demokratike vjen në një moment të rëndësishëm të zhvillimeve politike në vend, vetëm pak muaj para zgjedhjeve vendore, por dhe kur situata është e ndezur mes mazhorancës dhe opozitës.

Ky proces në Partinë Demokratike merr rëndësi dhe për faktin se Basha do të krijojë ekipin që do i prezantohet shqiptarëve për të kërkuar votëbesimin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here