Sunday, May 19, 2024
Home Politikë Meta: Nëse do të nisesha nga raporti personal, Bushati do ta kisha...

Meta: Nëse do të nisesha nga raporti personal, Bushati do ta kisha liruar të parin nga detyra

0
514

Dekretimi i shkarkimit të Ditmir Bushatit si Ministër i Jashtëm do të lidhet me kandidaturën pasuese të tij.

Presidenti Ilir Meta deklaroi në “Opinion” se nëse do të nisej  në planin e një raporti personal, ndoshta nga propozimet e kryeministrit Rama, kandidatura e zotit Bushati do të ishte e para që mund të kishte firmosur për ta liruar nga kjo detyrë.

Meta theksoi se nuk niset nga vlerësimet personale apo nga raportet ndonjëherë të vështira që mund të ketë pasur me ministra të caktuar, por nga  përgjegjësia shtetërore.

Gazetari: A duhet që përpara se të dekretoni Ramën si ministër të Jashtëm, ju duhet të çdekretoni, pra të dekretoni shkarkimin e ministrit Bushati? Dhe pse nuk e keni bërë këtë gjë?

Presidenti Meta: Sepse nuk ka qenë domosdoshmëri për të shkarkuar apo për të bërë dekretin e shkarkimit të zotit Bushati për faktin se nuk kam qenë i bindur për të emëruar pasuesin e tij dhe Ministria e Jashtme nuk është si të gjitha ministritë e tjera…

Gazetari: Përse?

Presidenti Meta: …është tepër e rëndësishme dhe delikate në këto momente. Qoftë edhe për një arsye të thjeshtë e të re: për faktin se Shqipëria tashmë është anëtare e Trojkës së OSBE-së dhe Shqipëria përgatitet të marrë drejtimin e OSBE-së. Dhe në çdo moment, qoftë për shkak të zhillimeve në rajonin tonë, qoftë për shkak të zhvillimeve në rajone të tjera që mbulon OSBE-ja, mund të bjerë një zile në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë nga kolegët e tij të Trojkës për të bërë një konsultë, për të mbajtur një qëndrim në emër të OSBE-së, sigurisht që aty duhet të ketë një njeri, që ka përgjegjësi të plota kushtetuese për të ndarë me ta qëndrimin e Shqipërisë.

Gazetari: Zoti President, kjo do të thotë që çdekretimi i Bushatit do të lidhet me kandidaturën pasuese të tij?

Presidenti Meta: Po, normal.

Gazetari: Pra nuk është se ju jeni i vendosur për të mos shkarkuar Bushatin?

Presidenti Meta: Nëse do të flisnim në planin e një raporti personal, ndoshta nga propozimet e kryeministrit Rama, kandidatura e zotit Bushati do të ishte e para që mund të kisha firmosur për ta liruar nga kjo detyrë, por unë nuk nisem nga vlerësimet personale apo nga raportet ndonjëherë të vështira që mund të kem pasur me ministra të caktuar. Unë nisem nga përgjegjësia shtetërore në veprimet e mia, dhe për shkak se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është institucion shumë i rëndësishëm për sigurinë kombëtare gjithashtu, por edhe i përfaqësimit ndërkombëtar të vendit tonë, nuk ma lejon të bëj veprime të nxituara.

Gazetari: Cili është neni kushtetues që iu referuat zoti President, sepse kryeministri Rama pak më parë është shprehur se: “Presidenti nuk e ka çdekretuar ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues, shkelja e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën Kushtetuese? Deri atë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol, sepse nuk kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit? Ndërsa pak ditë më parë është shprehur: Mos prisni të merrem me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizmen rezervë të Doktoreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do të jetë e gjitha te njerëzit dhe zero te çizmet.” Që do të thotë se ju konsideron shkelës të Kushtetutës dhe tejkalues të kompetencave tuaja.

Presidenti Meta: Është argëtim për mua të dëgjoj komente të tilla, por të jeni të sigurt se Partia Socialiste është një parti serioze, e cila gjithashtu ka ndihmuar edhe jurisprudencën kushtetuese me aktet që ka bërë dhe me kërkimin nga Gjykata Kushtetuese në të kaluarën për të sqaruar rolin dhe pozitën e Presidentit në politikën e jashtme. Dhe këtu i referohem në mënyrë të veçantë vendimit nr. 15, datë 15. 04. 2010 të Gjykatës Kushtetuese.

Gazetari: Që thotë?

Presidenti Meta: Që bën shumë të qartë se cili është roli i kryetarit të shtetit në fushën e politikës së jashtme, në lidhjen e traktateve ndërkombëtare, të marrëveshjeve politike, pra të marrëveshjeve më të rëndësishme në emër të shtetit dhe gjithçkaje tjetër.

Gazetari: Jo për dekretimin e ministrit?

Presidenti Meta: Do më falni! Dhe përsa i takon çështjes së dekretimit, dua të sqaroj se lidhur me afatet ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese në të kaluarën, në rastin kur Kuvendi nuk ka respektuar afatin e 10 ditëve për t’u shprehur për dekretetet e Presidentit me propozim të kryeministrit, e ka bërë të qartë se kur nuk ka pasoja nga tejkalimi i afatit, nuk ka problem.

Dhe unë kam një pyetje për ju: A ka ndonjë pasojë nga mosdekretimi i shkarkimit të zotit Bushati? Jo! Pasojë mund të kishte në rast se unë do ta kisha shkarkuar zotin Bushati dhe në krye të MEPJ-së për momentin do të kishim një situatë kur do të kishim një zëvendësministër, i cili nuk do të kishte përgjegjësi të plota kushtetuese për këtë institucion aq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare gjithashtu.

Gazetari: Por keni refuzuar kandidatin Gent Cakaj, i cili përbën një precedent krejtësisht të ri në marrëdhëniet midis presidentit dhe kryeministrit. Deri më sot, mbi njëzet vite nga Kushtetuta e 28 nëntorit të vitit 1998, presidentët kanë vetëm kundërfirmosur kërkesat e kryeministrave. Përse ju keni vendosur të zbatoni një standard të ri? Natyrisht kuptohet në mungesë të Gjykatës Kushtetuese që do të shprehej për këtë çështje. Nga cili argumentim niseni?

Presidenti Meta: Gjykata Kushtetuese nuk shprehet dot për kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës.

Gazetari: Si nuk shprehet dot? Jeni i bindur për këtë zoti President?

Presidenti Meta: Së pari, neni 98 pika 1, ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit brenda shtatë ditëve. Dy, dekretet, pra dekreti i Presidentit shqyrtohet brenda dhjetë ditëve nga Kuvendi.

Gazetari: Po në se i drejtohen Gjykatës Kushtetutës dhe ta pyesin se çfarë ndodh kur Presidenti…? …nuk e dekreton?

Presidenti Meta: Më falni! Të vësh në pikëpyetje këtë kompetencë kushtetuese që Kushtetuta ia ka dhënë Presidentit, është njësoj sikur Presidenti të çojë në Gjykatë Kushtetuese kompetencën që Kushtetuta i jep kryeministrit për të propozuar. Dhe të çojë në Gjykatë Kushtetuese këtë propozim si antikushtetues për arsye se personi në fjalë ka një, dy apo tri probleme, nga ato të cilat janë bërë publike edhe nga ana e Presidentit të Republikës.

Gazetari: Por si veprohet në rastet kur…? …ju nuk e firmosni zoti Meta?

Presidenti Meta: Pra kjo është tërësisht absurde dhe tregon qartë që kemi për fat të keq politikanë, të cilët duhet të tregonin përgjegjësi të larta shtetërore, madje edhe kombëtare, sepse bëhet fjalë për një post jashtëzakonisht të rëndësishëm, dhe që e shikojnë edhe Gjykatën Kushtetuese si një komision të garancive statutore në një parti të caktuar.

Atëherë ajo që mund t’ju them me pak fjalë është kjo, që duhet ta kuptojnë të gjithë: Kushtetuta e Shqipërisë për këtë rast, nuk është si Kushtetuta e Greqisë, ku roli i Presidentit është një rol ceremonial, pra në fund fare ku bëhet betimi…

Gazetari: Kundërfirmues.

Presidenti Meta: … Kushtetuta e Shqipërisë në këtë rast është si Kushtetuta e Republikës së Italisë ku Presidenti ka një rol substancial, që shprehet përmes vullnetit të tij, përmes dekretit për emërimin apo për shkarkimin, dhe ka njëkohësisht në fund, pasi shprehet parlamenti, ka edhe një rol ceremonial.

Kështu që çdo përpjekje…

Gazetari: Po ju po bëni pjesën e kryeministrit…? A mund t’i diktoni atij zgjedhjen e ministrave?

Presidenti Meta: Unë nuk i diktoj kryeministrit zgjedhjen e ministrave, por Kushtetuta i ka dhënë këtë kompetencë Presidentit, për arsye se Presidenti duhet të shërbejë në një rast të tillë si një filtër kushtetues për integritetin dhe besueshmërinë…

Gazetari: Mbi bazën e opinioneve personale të Presidentit?

Presidenti Meta: Jo! Jo! Më falni! Mbi bazën e atyre shpjegimeve që Presidenti është i detyruar t’ia japë kryeministrit edhe në mënyrë informale apo formale, por edhe publikisht në rast se kjo gjë është e domosdoshme. Kështu që…

Gazetari: Ju po thoni që sot e tutje, përsa kohë ju do të jeni President i Republikës, do ta ushtroni këtë kompetencë kështu siç e lexoni sot? Pra që keni të drejtë të ktheni një kandidat që propozon kryeministri nëqoftëse keni arsyetimet tuaja?

Presidenti Meta: Duhet të shpjegoj momentin: Kushtetuta imponon bashkëpunim midis Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit. Dhe ne kemi pasur raste – ju e dini shumë mirë! – që Kuvendi, edhe pse Presidenti ka dërguar dekrete për emërim apo shkarkim, me propozimin e Kryeministrit, i ka rrëzuar dhe nuk i ka votuar. Nuk ka qenë i detyruar t’i votojë. Ka shprehur vullnetin e tij. Këtë gjë mund ta bëjë edhe Presidenti, natyrisht me ato argumente që ai duhet t’i bëjë. Unë personalisht jam përpjekur të tregoj vullnetin maksimal të bashkëpunimit me Kryeministrin për këtë çështje.

Gazetari: Ku është ky vullnet, sepse nuk po ju kuptoj?

Presidenti Meta: Ky vullnet ka qenë i qartë edhe në takimin ku unë e kam ftuar të bëjmë për të diskutuar edhe rastin në fjalë përpara se të shpallja dekretimin e katër ministrave të tjerë, të cilët u shpallën.

Gazetari: Ia keni dhënë ju vërejtjet tuaja zotit Rama? Si ka reaguar?

Presidenti Meta: Po, ia kam thënë. Ia kam bërë të qarta arsyet se përse këtë person të propozuar prej tij, për të cilin ai kishte vlerësim shumë të lartë, nuk mundem t’ia besoja detyrën e ministrit të Jashtëm.

Gazetari: Përse? A mund ta thoni sot?

Presidenti Meta: Për të gjitha ato arsye që janë publike dhe të cilat janë tërësisht të mjaftueshme.

Gazetari: Përse janë të mjaftueshme, zoti Meta?

Presidenti Meta: Për një njeri që shkel ligjin: gjashtë muaj zëvendësministër, nuk merr çertifikatat e sigurisë, nuk mund ta kuptoj dot se si mund të promovohet! Mirë që nuk shkarkohet… E ka pasur detyrim ai këtë gjë dhe e ka detyrë çdo zëvendësministër i Jashtëm që të pajiset me këto çertifikata të sigurisë. E ka pasur edhe pjesë të punës së tij, sepse e ka pasur pjesë të punës së tij me Bashkimin Europian. Kështu që kjo nuk ka asnjë justifikim. Kush përpiqet të justifikojë këtë ndjenjë të mungesës së përgjegjësisë në zbatimin e ligjeve dhe të detyrimeve të një zyrtari të lartë, pastaj…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here