Edi Paloka: Jo zgjedhje me Ramën, më pas të ndërhyjnë ndërkombëtarët

0
552

Megjithëse Partia Demokratike nuk e ka marrë një vendim politik nëse do të hyjë apo jo në zgjedhje lokale, Edi Paloka ka mendimin se me Edi Ramën kryeministër nuk ka arsye për të hyrë në zgjedhje.

Sipas tij, me emërimin e Damian Gjiknurit si përgjegjës për reformën zgjedhore, Edi Rama po tregon vendosmërinë për të blerë sërish votat, por Paloka thotë se gabimi i 2017-ës nuk do të përsëritet më.

“Nuk ka zgjedhje në Shqipëri pa u larguar Rama dhe pa u krijuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Vendimi politik për të hyrë ose jo në zgjedhje nuk ka akoma, por po them që me këtë kryeministër që vazhdon të tregojë me këmbëngulje dhe arrogancë që do vazhdojë t’i vjedhë votat, ma thoni ju rrugën?! Zgjedhje pa kushte nuk do të ketë”, u shpreh Edi Paloka.

Por i pyetur se si mund të zgjidhet kriza kur palët nuk ulen në tryezë, nënkryetari i PD-së Paloka thotë se Partia Demokratike pranon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, por pasi Edi Rama të jetë larguar nga posti i kryeministrit. Largimi i Ramës, shprehet Paloka, hap rrugën e dialogut.

“Një qeveri që në radhë të parë do të thotë Rama jashtë qeverisë. Që nga ai moment fillojnë negociatat, dialogu dhe çfarëdo lloj gjëje tjetër që lidhet me zgjedhjet e ardhshme. Rama nuk konsiderohet më si pjesë e negociatave. Për ne më mirë të ndërhyjnë ndërkombëtarët”, u shpreh Edi Paloka.

Nënkryetari i Partisë Demokratike thotë se protestat do të vijojnë, jo vetëm ato që do jenë të lajmëruara, por paralajmëron dhe surpriza për kryeministrin Edi Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here