Mesazhin e tij në ditën e dëshmorëve të atdheut e dha edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në një deklaratë për mediat.
Lleshajka theksoi se krahas dëshmorëve që dhanë jetën për liri, sot nderohen edhe dëshmorët që kanë rënë nga radhët e Policisë së Shtetit në krye të detyrës në luftën kundër krimit, në mbrojtje të sigurisë publike.
Lleshaj: Sot përkujtojmë mijëra shqiptarë që kanë dhënë jetën si Dëshmorë të Atdheut në luftërat për liri dhe pavarësi.
Por sot përkujtojmë edhe qindra dëshmorë të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, që e dhanë jetën në një luftë dhe në një front tjetër: në luftën kundër krimit, në mbrojtje të sigurisë publike, në një front të brendshëm.
Më tej ministri shtoi se nga viti 1990, 224 punonjës të Policisë së Shtetit kanë dhënë jetën e tyre në krye të detyrës.
Lleshaj: Ky numër shumë i lartë punonjësish policie të rënë në harkun e pothuajse tri dekadave është dëshmi e dy realiteteve:
Nga njëra anë, ky numër tregon një zhvillim politiko-shoqëror jo normal, i cili ka prodhuar një situatë kriminale të pazakontë edhe në kontekstin historik të vendit tonë;
Nga ana tjetër, numri i lartë i dëshmorëve nga radhët e Policisë së Shtetit tregon se përballja me krimin ka qenë e ashpër, e vështirë por edhe heroike.
Shumë nga ata dhanë jetën, në momente të vështira për familjet e tyre, të cilat përballeshin me sfida të shumta sociale e ekonomike, sfida me të cilat, një pjesë e madhe e tyre, përballen edhe sot.