Banka Botërore: Pothuajse gjysma e ekonomisë shqiptare është informale

0
562

Një studim i Bankës Botërore për ecurinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Rajonin e Ballkanit, i publikuar ditët e fundit vlerëson se informaliteti në Shqipëri vijon të mbetet i lartë dhe zë deri në 50% të ekonomisë.

Studimi thotë se, edhe pse Shqipëria ka marrë masa për të ulur informalitetin, fenomeni mbetet ende një sfidë për administratën tatimore.

Bizneset informale në përgjithësi kanë produktivitet më të ulët se bizneset formale.

Banka Botërore vlerëson se edhe pse Shqipëria ka miratuar një larmi të madhe rregullash për të monitoruar abuzimet, zbatimi i tyre mbetet i dobët për shkak të informalitetit të vazhdueshëm në forcën e punës.

Sipas vrojtimit të Mjedisit të Biznesit dhe Performancës së Ndërmarrjeve, konkurrenca nga sektori informal ishte problemi i dytë më i madh për kompanitë shqiptare.

Më shumë se 40% e firmave të anketuara kanë raportuar që konkurrojnë kundër firmave informale në sektor.

Kjo konkurrencë e pandershme është e lartë në mesin e SME-ve, pasi 41% e tyre raportojnë se konkurrojnë me bizneset e paregjistruara krahasuar me 27.8% të firmave të mëdha.

Studimi thotë se bizneset duhet të kontribuojnë më shumë në ekonominë e përgjithshme dhe qeveria duhet të vazhdojë të investojë në mënyrë të konsiderueshme në formalizimin e SME-ve, nëpërmjet përpjekjeve që shkojnë përtej regjistrimit të thjeshtë.

Prej janarit 2018, qeveria ju ka imponuar bankave që për çështje të kredidhënies të marrin në konsideratë vetëm bilancet zyrtare të SME-ve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here