DW: Paqartësi për zgjedhjet, KiE anullon delegacionin e vëzhgimit të 30 qershorit

0
514

Këshilli i Evropës flet për paqartësi për organizimin e zgjedhjeve e mungesë sigurie. Kryetari i PD, Lulëzim Basha e sheh këtë një vendim politik, për t’u distancuar nga votimet farsë.

Këshillit i Europës (KiE) anuloi të mërkurën, (26.05.2019) në momentin e fundit, dërgimin në Shqipëri të delegacionit nga Kongresi i Autoriteteve Lokale, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale, që pritet të zhvillohen këtë të dielë më 30 qershor.

Anulimi vjen një ditë pas deklaratës së Presidentit Meta se  ligjërisht nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor”.

Por zhvillimi i Lokaleve 2019  në Shqipëri, në prag të 30 qershorit, sa vjen dhe bëhet fakt real. Mazhoranca socialiste dhe partitë opoziatare parlamentare po vazhdojnë fushatën zgjedhore deri në ditën e heshtjes zgjedhore, 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Ndërkohë, opozita jashtë sistemit politik, e kryesuar nga Partia Demokratike(PD) vijon të deklarojë e do të pamundësojë zhvillimin e zgjedhjeve. Një situatë e tillë sjell paqartësi dhe ngre pyetjen:  A do të ketë apo nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor? Pikërisht kësaj paqartësie dhe rreziqeve që mbart ajo i referohet KiE në vendimin e sapomarrë..

Në njoftimin e tij zyrtar KiE bën me dije se „ ka vendosur të mos dërgojë një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KiE, për vëzhgimin e zgjedhjeve lokaleve në Shqipëri për shkak të paqartësisë së vazhdueshme lidhur me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor si edhe rreziqet e mundshme të sigurisë në zona të caktuara ku do të mbahen zgjedhjet.”

Ndërkohë misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, i ftuar nga qeveria e Tiranës, për vëzhgimin e procesit zgjedhor për Lokalet 2019,  më 30 qershor, vazhdon punën, i drejtuar nga Ambasadorja Audrey Glover.

Basha: Vendim politik i KiE për t’u distancuar nga votimet farsë

Lideri i PD dhe opozitës, Lulzim Basha e quajti anulimin nga KiE të dërgimit në Shqipëri të delegacionit vëzhgues, „sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri”.

Në një konferencë shtypi,  të mërkurën pasdite, Basha tha se „vendimi i KiE është fakt kuptimplotë se në 30 qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.”

Sipas tij vendimi në fjalë është „distancim i qartë për votimet farsë, një partiake, antidemokratike dhe antikushtetuese që kërkon të bëjë kryemnistri Rama”

Basha i quajti votimet në 30 qershor „ tentativë për grusht shteti nga Rama” dhe përsëriti se opozita nuk do t’i lejojë votimet këtë të diel./DW

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here