Nard Ndoka: Meta të shpërndajë Kuvendin, Opozita të nis protestat

0
604

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, në një intervistë për ”Koha Jonë”, thotë se: Nga Institucioni i Presidentit të Republikës, kërkojmë që të mbrojë Republikën

Intervistoi: Redjon Shtylla

Për kreun e PDK-së, Nard Noka, mazhoranca po dhunon shtetin ligjor, po dëmton sistemin e drejtësisë dhe po asfikson kontrollin kushtetues. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai thotë se duket parë që situata është rënduar, opozita po mendon për rikthmin e protestave Kombëtare. “Jemi në fazën e vendimarrjes së rikthimit të protestave qytetare kombëtare në mbarë vendin, duke përmirësuar edhe gabimet tona që kemi bërë gjatë rrugës”. Ndoka kërkon që Presidenti Meta të shpërndajë Kuvendin, të cilin e quan antikushtetues. “Nga Institucioni i Presidentit të Republikës, kërkojmë që të mbrojë Republikën; në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, me gjykatat ndërkombëtare ose duke shpërndarë Kuvendin, tashmë si institucion antikushtetues”.

Pika më e nxehtë e Reformës në Drejtësi është ringritja e Gjykatës Kushtetuese. Arta Vorpsi e emëruar automatikisht dhe Marsida Xhaferllari e dekretuar nga Presidenti e çojnë ngritjen e Kushtetueses në një kaos të ri. Maxhoranca e cilësoi përpjekje për bllokim nga Kreu i Shtetit, ndërsa ky i fundit foli për manovra mafioze për ta çuar atë në shkelje të Kushtetutës. Si e komentoi Ju këtë situatë, po luftohet për një sistem më të mirë në Drejtësi?

Drejtësia e vërtetë bazohet mbi dialogon, mbi ligjin, Kushtetutën. Kjo mazhorancë ka vendosur që drejtësinë ta ndërtojë mbi dredhitë ligjore, arrogancën e pushtetit, keqpërdorimin e Kuvendit, duke përjashtuar dialogon e konsensusin me opozitën, duke rritur presionin dhe luftën e paprinciptë me Institucionin e Presidentit. Me këto manovra dhe intriga, mazhoranca po dhunon shtetin ligjor, po dëmton sistemin e drejtësisë dhe po asfikson kontrollin kushtetues. Kjo sjellje aventureske e mazhorancës e ka futur vendin në një spirale të rrezikshme të funksionimit të shtetit ligjor dhe funksionimin e Institucioneve. Presidenti duhet përveç denoncimeve periodike që ka mbajtur, të gjejë mjetet dhe mënyrat për të mbrojtur Republikën, tashmë detyrë emidiate në mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

Hierarkia më e lartë është Presidenti dhe kur maxhoranca e sulmon, a mund të besojmë se qeveria është e interesuar për të pasur një Gjykatë Kushtetuese në zbatim të Kushtetutës apo po “lufton” për ta pasur në kontroll? Si zgjidhet për JU, ky ngërç?

Mazhoranca ka kohë që përpiqet të kapë të gjitha institucionet kushtetuese dhe të pavarura; Shërbimin Informativ, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Gjykatën Kushtetuese, Prokurorin e Pergjithshëm, tashmë lufton për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe e ka kthyer në rend prioritar. Opozita i ka denoncuar të gjitha rastet, me prova dhe fakte, të njëjtën gjë ka bërë edhe Institucioni i Presidentit. Në raport me Kushtetutën është detyrë e Presidentit të Republikës, ti japë zgjidhje kësaj krize të thellë kushtetuese, politike, institucionale e morale që ka përfshirë vendin. Zgjidhja sipas meje, është largimi i Kryeministrit Edi Rama, si projektuesi i të gjithë kësaj maskarade institucionale, në raport me Presidentin, opozitën, Kushtetutën dhe qytetarët. Pengimi dhe largimi i tij është e vetmja rrugë dhe detyrë e të gjithëve që kërkojnë standarde dhe shtet funksional.

Si e komentoi deklaratën e Presidentit Meta, që nëse qeveria kap Gjykatën Kushtetuese, shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër vetëm se të marrin armët?

Qeveria ka kohë që e ka shembur Gjykatën Kushtetuese dhe kjo është një ndër arsyet që ne dorëzuam mandatet. Në një vend demokratik, ku nuk ke garancitë kushtetuese për të kontrolluar qeverisjen, duhet të shikosh mundësi të tjera. Opozita e bashkuar zgjodhi të bashkohet me qytetarët, për të penguar dhe rrëzuar Ramën, besoj dhe mendoj se edhe Presidenti duhet të shfrytëzojë mundësitë institucionale, apo duke iu bashkuar kauzës tonë sëbashku me qytetarët.

Në një intervistë televizive, Presidenti Ilir Meta, tha se PD dhe LSI i kanë lënë qytetarët të ekspozuar dhe të pa mbrojtur para një bande. Duhet që Kreu i Shtetit të shpërndajë Parlamentin dhe çfarë do të bëni Ju si opozitë mbi këtë situatë?

Opozita është përpjekur për muaj me radhë në Kuvendin e Shqipërisë, të shfrytëzojë hapësirat dhe përgjegjësitë kushtetuese për të kontrolluar qeverisjen e vendit. Jemi përballur me arrogancën e Ramës, të kryetarit të Kuvendit dhe me dhunën e kartonave në Kuvend. Beteja ynë politike tashmë është kthyer në kauzë për largimin e Ramës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Nga Institucioni i Presidentit të Republikës, kërkojmë që të mbrojë Republikën; në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, me gjykatat ndërkombëtare ose duke shpërndarë Kuvendin, tashmë si institucion antikushtetues.

Nga “Rama IK” në “Rrugëtimi për Shqipërinë”. Jeni në fund të vitit dhe ende opozita nuk ka arritur që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, siç i kërkon prej muajsh. Ku e shihni gabimin? Strategji e gabuar e PD-së, apo lidhet me faktorë të tjerë? Për Ju, çfarë duhet të bëjë ndryshe aksioni opozitar?

Janë disa faktorë që ndërthyren, së pari respektuam një axhendë kombëtare për hapjen e negociatave, së dyti po kontribuojmë mbi kërkesat e Bundestagut për Refirmen Zgjedhore. Gjithsesi jemi në fazën e vendimmarrjes së rikthimit të protestave qytetare kombëtare në mbarë vendin, duke përmirësuar edhe gabimet tona që kemi bërë gjatë rrugës.

Në vend ka pasur një sërë ngjarjesh kriminale, si ajo e Prokurorit të Durrësit, ku lidhjet mes qeverisë duken më qartë se kurdo herë tjetër. Kryeministri  në vitin e 7-të të qeverisjes, thotë se shumë shpejt do të nisë luftë frontale ndaj krimit. Më këtë nivel kriminaliteti dhe ndërhyrje të krimit me strukturat qeverisës, a nuk ndjehet e rrezikuar opozita dhe në zgjedhjet e radhës?

Opozita nuk mund dhe as duhet të futet në zgjedhje me këtë situatë të kriminaliuar deri në palcë, ku shteti është kapur nga grupet kriminale. Krimi dominon jetën politike, vendimmarrjen në Kuvend e qeveri, ka kontrollin e ekonomisë pothuajse në të gjithë sektorët jetik. Ky është problem madhor për qytetarët, opozitën, institucionet dhe për gjithë vendin. Ka një ndërgjegjësim dhe shqetësim të partnerëve tanë nderkombëtarë për këtë situatë. Opozita duhet të tregohet më vitale dhe e organizuar për ti dalë përzot vendit dhe për të garantuar zgjedhje të parakohshme lokale e parlamentare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here