Vjosa Osmani: Gabim historik nëse nuk ka marrëveshje VV-LDK

0
537

 

Ndërsa mbetet e dyshimtë e ardhmja e qeverisë së Kosovës, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, paralajmëron Vetëvendosjen të mos kryejnë gabimin historik duke mos e arritur koalicionin. Situata pritet të qartësohet fillimin e javës tjetër, kur kreu i Vetëvendosjes është ftuar në presidencë për të marrë mandatin e kryeministrit dhe kur LDK-ja do të vendosë për bisedimet e mëtejshme.

Për nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dështimi i negociatave për qeveri të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje do të ishte një gabim historik për vendin.

Pretendentja për Kryeministre në garën elektorale të 6 tetorit tha të premten se palët nuk duhet të heqin dorë kurrsesi nga marrëveshja.

Osmani: “Nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri, por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen. Si bartëse e listës së LDK-së dhe përfaqësuese e votuesve e kamë për detyrë që ta dërgojë vullnetin e qytetarëve deri në fund dhe do të insistojë deri në fund”.

LDK-ja pritet të shprehet të hënën pas mbledhjes së Kryesisë për të ardhmen e paktit dypartiak.

Osmani: “Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK-së të mblidhen edhe njëherë. Këto takime kanë qenë të parapara për të premten, por janë shtyer për të hënën për shkak të arsyeve teknike dhe një numër i deputetëve që janë në Kosovë. Të hënë do të diskutojmë këto rrethana të reja për të parë se cili është qëndrimi i kryesisë dhe deputetëve të cilët kanë marrë legjitimitetin qytetarë. Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e tyre do të shohim se si do të procedohet më tutje”.

Dy grupimet e mëdha politike ende nuk kanë gjetur dakordësi për ndarjen e pushtetit dhe të postit të presidentit, duke ndërprerë kontaktet prej fund dhjetorit pas zgjedhjes pa marrëveshje paraprake të anëtarit të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Palët po presin zhvillimet që do pasojnë takimin e 6 janarit mes presidentit Hashim Thaçi dhe të paramandatuarit të tij për Kryeministër, Albin Kurti, takim që u refuzua për tri herë me radhë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here