Hapja e partise, Kryemadhi: Thirrje te rinjve per t‘u bashkuar me ne, gjitheperfshirja vizion i LSI

0
641

 

Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur këtë të shtunë Konventën për Tiranën, ku e pranishme është edhe kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi.

Pjese nga fjalimi i Kryemadhit:

Sot unë dua të shpalos fushatën e dyerve te hapura të LSI në të gjithë Shqipërinë, por jo vetëm, edhe në Europë, edhe në SHBA, Australi dhe kudo.
Kam besuar gjithmonë se politika më e mirë, mesazhi më i mirë për sot dhe për nesër është Një Shans për të Gjithë! Të gjithë e kujtojnë që kjo ishte dhe kredoja jonë në fushatën e vitit 2017. Sfida një shans për të gjithë vazhdon dhe një Shans për të gjithë në LSI do të thotë që gjithkush mund të kontribuojë, gjithëkush mund të kandidojë, gjithëkush mund të shprehë lirisht idetë e reja, gjithëkush mund të garojë dhe të fitojë.

Dhe për këtë, dyert e LSI janë të hapura.

Dyert e LSI janë të hapura, për të gjithë ato vajza dhe djem të shkolluar kudo që janë dhe që duan të kontribuojnë për të ringritur sistemin demokratik, atë sistem vlerash dhe meritokracie që shqiptarët në 1991 aspiruan. Për atë sistem ku të gjithë të jenë të barabartë dhe shteti t‘u shërbejë qytetarëve të tij njëlloj pavarësisht se kujt partie, familje, feje, apo rrace i përkasin.
Në emër të LSI, në emër të Shqiperise, në emër të dekadës së re, ne ofrojmë sot 15 vitet e punës dhe përkushtimit të themeluesve të LSI, të gjithë atyre që janë këtu apo jashtë kësaj salle, investimin e pesë brezave të të rinjve të LRI që janë shpirti, energjia dhe e ardhmja e familjes sonë politike.
Nën dritën e dekadës së re, ne e ofrojmë këtë investim për këdo që ka dëshirën, vullnetin dhe aftësinë, për t’u përfshirë në listat e partisë, për të garuar dhe për t’u bërë pjesë me angazhimin dhe kontributin e tyre nga kandidatë për deputetë, kryetarë bashkie, për këshilltarë, anëtarë në komisionet politike pranë LSI, të forumeve drejtuese apo të konkurrojnë për drejtues të degëve në të gjithë Shqipërinë.

Në emër të dekadës së re Ju ftojmë ju pedagogë të rinj, plot energji dhe dije, të angazhoheni që asnje të mos ju kërcënojë më me vendin e punës. Ejani dhe së bashku të ndreqim gabimet e mëdha që janë bërë në arsim. T’i japim shpresë rinisë studentore dhe bashkë ta ndryshojmë këtë realitet të hidhur, ku sot studenti trajtohet si klient dhe jo si e ardhmja e një kombi.
Ejani ju mjekë të rinj, së bashku me humanizmin dhe përkushtimin tuaj, të ndryshojmë sistemin e antivlerave të ngritur sot nga të paaftët dhe arrogantët, të cilët fatkeqësisht drejtojnë mjekësinë shqiptare. Ta bëjmë së bashku shëndetësinë, ashtu siç duhet të jetë në fakt, një shërbim jetik dhe cilësor ndaj qytetarëve dhe vlerësim për mundin dhe djersën tuaj dhe jo një makineri fitimi nëpërmjet PPP-ve korruptive të oborrtarëve të Qeverisë.
Ejani ju ekonomistë të rinj së bashku me idetë novatore dhe dëshirën tuaj për reformim, të ndryshojmë këtë sistem të kalbur dhe korruptiv, për t’i dhënë frymëmarrjen e munguar ekonomisë shqiptare.

Të çlirojmë tregun, energjitë prodhuese dhe investuese të zëna sot prej fyti nga klientela e qeveritarëve, tenderat e paracaktuar, mungesa e garës dhe nga një sistem tatimor që e sheh biznesin e ndershëm, sidomos atë të vogël dhe të mesëm, si një armik të pushtetit të oligarkëve.
Ejani ju agronomë dhe veterinerë, së bashku me sakrificat dhe dashurinë tuaj për tokën dhe prodhimet shqiptare, të ringremë bujqësinë. Të hartojmë strategjinë dhe një program konkret dhe të qartë për subvencionimin e fermerëve, Të ndalim hemorragjinë e frikshme të braktisjes së tokës, serave, vreshtave dhe kullotave. Fermerët dhe blegtorët nuk janë thjesht prodhues, por ata janë shtylla kurrizore e një kombi. T’i shpëtojmë fermerët dhe prodhimet e tyre, nga konkurrenca e padrejtë e produkteve të importit, që vjen për shkak të politikave antikomëtare të Qevrisë së Rilindjes.
Ejani ju juristë të rinj të kontribuoni me përgatitjen dhe ndërshmërinë tuaj, për të bërë dhe implementuar një reformë të vërtetë dhe të pakapur në drejtësi, që vetëm transfuzioni i gjakut tuaj të ri mund ta shërojë dhe shpëtojë atë.

LSI-ja ka qenë dhe do mbetet një familje e madhe ku të gjithë mund të rriten, mund të afirmohen, mund të kontribuojnë.
Nga ky vizion politik i gjithëpërfshirjes që ka sjellë LSI që prej themelimit të saj, sot ne kemi pjesë në organet drejtuese dhe përfaqësuese të partisë, profesorë të nderuar, si Nora Malaj, Shezai Rrokaj, Edmond Panariti, Eltjon Halimi, Adela Shera, Luigj Turmalaj dhe shumë të tjerë. Sot LSI ka në gjirin e saj intelektualë të rinj, të cilët janë të shkolluar në universitetet më të mira perëndimore si Klajda Gjosha, Erisa Xhixho, Roni Telegrafi, Redi Lleshi apo të rinjtë me vullnet, energji dhe dije si Kejdi, Endriti, Floida, Klevi, Eriona, sepse LSI ka dhe një sfidë të saj, atë të aktivizimit të energjisë së rinisë shqiptare në shërbim të dekadës së ndryshimit dhe shpresës!
Ndërkohë po krijohet edhe rrjeti i miqve të LSI në SHBA, në Britani dhe BE, sepse shumë djem e vajza shqiptare janë shkolluar dhe punojnë jashtë dhe duan të jenë kontributorë aktiv të dekadës së shpresës dhe ndryshimit.

Shërimi i Shqipërisë nga sëmundja e Rilindjes kërkon vizion. Kërkon aftësi. Kërkon profesionalizëm. Kërkon ndershmëri. E kush më mirë sesa ne të gjithë së bashku, që kemi vendosur Shqipërinë të parën, mund ta realizojë këtë.
Për të ringritur Shqiperine, për të lartësuar Kombin, për të forcuar familjen shqiptare, ne duhet të çrrenjosim pushtetin e të paaftëve, mediokërve, arrogantëve, sharlatanëve dhe tradhëtarëve. Ne duhet të ringrëmë shtetin e specialistëve të zotë, profesionistëve të aftë që udhëhiqen nga dija, që besojnë vetëm tek ligji, dhe besnikërinë ndaj atdheut e kanë të shenjtë. Dhe ne së bashku mundemi ta realizojmë këtë aspiratë kombëtare.
Shqipëria po lëngon padrejtësisht nga sëmundja e Rilindjes, ndaj shërimi i saj nuk pret.
Duhet të ndodh Tani!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here