Kosovë, kërkohet lirimi i disa të dënuarve për shkak të Covid-19

0
577

  

Institucionet e korrektimit në Kosovë po marrin masa për të ndalur përhapjen e koronavirusit mes gati 2 mijë të dënuarve të tyre. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut apelojnë autoritetet më të larta të mendojnë lirimin për disa kategori. Në mbarë vendin raportohen gati 390 të prekur.

Në Kosovë ende nuk ka raste të infektimit me koronavirus në institucionet e dënimit, dhe po merren masa që kjo të parandalohet.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, apeloi të mërkurën që presidenti Hashim Thaçi, të lirojë të moshuarit, të sëmurët dhe personat që po vuajnë muajt e fundit të dënimit.

Pjesëtarja e organizatës, Valentina Devolli, për medien vendëse “Ekonomia Online” thotë se kjo kërkesë i është drejtuar edhe ekzekutivit.

Me këtë objektiv në fokus, kreu i shtetit takoi të mërkurën udhëheqësit e shërbimit korrektues, të gjykatave dhe prokurorisë së Prishtinës, për të diskutuar hapat që duhen ndërmarrë në rrethanat aktuale, me përfshirjen edhe të Parlamentit.

Të martën, një tjetër pacient humbi luftën me Covid-19, një 69-vjeçar nga komuna e Suharekës me probleme të mëparshme kardiake.

Vdekja e tij e çon në 9 gjithsej numrin e viktimave në Kosovë, ndërsa nuk ka të ndalur numri i të infektuarve që tashmë po afrohet në 400 prej zbulimit të rastit të parë rreth një muaj më parë.

Në komunat e vendit prej ditës së mërkurë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Nga ora 6:00 e mëngjesit, lejohet vetëm lëvizja në këmbë e nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç për 1 orë e gjysmë në ditë për shërbimet e domosdoshme, në intervale kohore të përcaktuara për secilin.

Masa do të qëndrojë në fuqi deri në datën 4 maj ndërsa mosrespektimi do dënohet prej 1 mijë deri në 2 mijë euro gjobë për personat fizikë dhe 3 mijë deri 8 mijë euro për grupet e tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here