Lidhur me masakrën me 4 të vrarë në Velipojë, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta i cili shprehet se plazhet dhe qendrat e qyteteve nuk e meritojnë t’i ngjajnë shesh-betejave të “Wild West”.
Meta shkruan se i ka bërë thirrje prej kohësh Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, të angazhohen maksimalisht për të mbajtur nën mbikëqyrje territorin e vendit, që paraqet rrezik të shtuar për konflikte.
Sipas Metës, konfliktet me armë zjarri, që konsumohen në ambiente publike dhe në kulmin e sezonit turistik, vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e dhjetëra qytetarëve, por nga ana tjetër dëmtojnë seriozisht imazhin e Shqipërisë tek turistët vendas dhe të huaj.