I vuri zjarrin një zone të pyllëzuar, kapet pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar.
Ky shtetas ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur pemët frutore të bahçes dhe më pas ka përfshirë edhe pyjet në lagjet “Laskaj”, “Hija e Laknave” dhe “Kodra e Muknezhës”. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 60 ha sipërfaqe pylli me dru lisi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë banorët dhe për barinjtë që në asnjë rast të mos ndezin zjarr dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.