Basha përjashtoi Berishën, Nishani: Veproi si skuth, të luftojmë për ringritjen e Partisë Demokratike

0
671

Ish-kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike e cilëson “skuth” Lulzim Bashën pas vendimit për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Nishani thekson se Basha është një njeri i katapultuar në krye të PD-së pa asnjë kontribut politik apo partiak dhe pa asnjë sakrificë në beteja politike.

Sipas tij, Basha është sot pengu i Edi Ramës në krye të Partisë Demokratike ndërsa bën thirrje se kusho që dbeson tek vlerat dhe parimet duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e PD.

“Lulzim Basha ka vepruar si një skuth ! Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrfarë meritash, vendos të përçajë në mënyrë fatale atë parti.

Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike!

Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik.

Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë!

Ky është Lulzim Basha që u katapultua politikisht me misionin e asgjesimit të Partisë Demokratike, asgjesimin e së djathtës në politikën shqiptare, asgjesimin e alternativës qeverisëse përballë së majtës, trashegimtare e stalinistëve shqiptarë filoserbe.

Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike !

Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjesimin e fondamenteve me bazike të demokracisë.

Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend.

Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjesimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi”, shkruan Nishani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here