Vjen në Shqipëri makina inteligjente që “nuk njeh mik”, do kapë çdo shkelje në rrugë, gjoba të vjen në shtëpi

0
1013

Policia rrugore ka nxjerrë në patrullim makinën inteligjente e cila dokumenton me foto dhe video shkeljet e qarkullimit rrugor. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha gjatë prezantimit të pajisjes së makina inteligjente nuk njeh mik dhe do të veprojë në të gjitha akset e vendit.

“Të dashur përdorues mjetesh, kjo është një aparaturë që nuk të krijon mundësinë që t’i shpëtosh shkeljes, pavarësisht se mund të njohësh ministrin, kryeministrin, deputetin apo këdo qoftë,” tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi me drejtues të policisë, prezantuan makinën inteligjente e cila do të monitorojë qarkullimin rrugor duke dokumentuar me foto çdo kundravajtje.

“Kjo pajisje është në fakt teknologjia e fundit që përdoret sot në vendet perëndimore, pajisje që kap në mënyrë të pandërprerë të gjitha shkeljet që ndodhin në një segment rrugor të caktuar në 4-6 korsitë, nëse do të kemi rrugë me 6 korsi. Është një pajisje që punon në mënyrë të pavarur, ditën dhe natën, që nuk ka asnjë ndikim njerëzor apo subjektiv të gjykimit të shkeljes. Në mënyrë automatike e regjistron shkeljen dhe e çon në kohë reale në qendrën e përpunimit që ndodhet në Drejtorinë e Policisë Rrugore. Është një pajisje e cila mund të lëvizë lehtësisht në të gjitha segmentet rrugore,” shtoi Çuçi.

Gjatë monitorimit vetëm për një urë në rrugën Tiranë-Elbasan makina inteligjente ka evidentuar më shumë se 300  shkelje të kryera nga drejtuesit e mjeteve.

Zyrtarët e policisë thanë se penalitetet e dokumentuara nga automjeti ruhen për një kohë të gjatë për t’u vendosur në dispozicion të qytetarëve në rast ankesash apo edhe nga Gjykata nëse kërkon të dhëna të plota për kohën dhe vendin ku ka ndodhur shkelja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here