Pandemia/ Varhelyi: BE disburson 90 mln € ndihmë makro-financiare për Shqipërinë. Kësti i dytë prej 180 mln euro nga programi mbështetës

0
510

Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi deklaroi sot se janë disbursuar 90 milionë euro ndihmë makro financiare për Shqipërinë.

Varhelyi shkruan në “Twitter” se kjo ndihmë është pjesë e programit mbështetës 180 milionë euro për vendin tonë dhe ka si qëllim të ndihmojë në kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë.

“Lajm i rëndësishëm për Shqipërinë! BE disbursoi sot 90 milionë euro ndihmë makro-financiare, kësti i dytë dhe i fundit prej 180 milionë euro programi mbështetës për Shqipërinë, me qëllim që të ndihmojë në kufizimin e pasojave ekonomike të pandemisë #COVID-19”, shkruan komisioneri Varhelyi.

Komisioni Evropian, në emër të BE-së, ka disbursuar sot 90 milionë euro ndihmë makrofinanciare (MPJ) për Shqipërinë. Ky disbursim është kësti i dytë dhe i fundit i një programi mbështetës prej 180 milionë eurosh për Shqipërinë, i cili është pjesë e paketës së MPJ-së prej 3 miliardë eurosh për dhjetë partnerë të zgjerimit dhe fqinjësisë që synon t’i ndihmojë ata të kufizojnë pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19. Programi është një demonstrim konkret i solidaritetit të BE-së me partnerët e saj për të ndihmuar në përgjigjen ndaj ndikimit ekonomik të pandemisë COVID-19.

 

 

Paolo Gentiloni, Komisioneri për Ekonominë, tha: “Jam shumë i kënaqur që shoh këto fonde të shkojnë sot në Shqipëri. Ky disbursim është një demonstrim i solidaritetit të BE-së me popullin shqiptar, por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur axhendën e rëndësishme të reformave të rënë dakord me Komisionin Evropian.
Disbursimi i parë prej 90 milionë eurosh për Shqipërinë në kuadër të këtij programi të MPJ-së u bë në mars 2021. Shqipëria ka përmbushur kushtet e politikës së rënë dakord me BE-në për lirimin e këtij disbursimi të dytë dhe të fundit prej 90 milionë eurosh në kuadër të programit të MPJ-së COVID-19. Këto përfshijnë masa të rëndësishme për të forcuar financat publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, për të përmirësuar qeverisjen dhe për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur mbrojtjen sociale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here