Saturday, April 27, 2024
Home Aktualitet Meta mezash për 105-vjetorin e FA: Mirënjohje për sakrificën ndaj atdheut

Meta mezash për 105-vjetorin e FA: Mirënjohje për sakrificën ndaj atdheut

0
737

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar Forcat e Armatosura me rastin e 105 vjetorit të krijimit të tyre.

Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe sakrificat e FA në shërbim të atdheut dhe interesave tona kombëtare. Meta falenderoi të gjithë ushtarakët shqiptarë që kontribuojnë aktualisht përkrah forcave ushtarake të Aleancës në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, e kudo në misione ndërkombëtare.

Mesazhi i Presidentit Ilir Meta

Të nderuar ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë,

105-Vjet më parë, vetëm pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, u krijuan Forcat tona të Armatosura.

Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, si President i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam nderin e veçante që t’ju përcjell të gjithëve ju ndjenjat e konsideratës time më të lartë

Një mirënjohje të veçantë kam për të gjithë familjarët e ushtarakëve tanë, sakrificat e tyre dhe forcën që ata gjejnë për të përballuar largësinë dhe mungesën e bijve, prindërve dhe bashkëshortëve të tyre.

Në këtë përvjetor të shënuar historik ne kujtojmë me respektin më të madh të gjithë ata që kontribuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare që nga Mehmet Pash Derralla deri në ditët e sotme.
Në mënyrë të veçantë përkulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e vendit tonë.

105-Vjetori i krijimit të Forcave tona të Armatosura na gjen sot anëtarë të NATO-s.

Ndaj një falënderim e mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarakët shqiptarë që kontribuojnë aktualisht përkrah forcave ushtarake të Aleancës në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, e kudo në misione ndërkombëtare.

Në këto çaste, një mirënjohje e posaçme u shkon ushtarakëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me përkushtim për t’u përballur me situatën e vështirë të përmbytjeve në vend.
Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe koordinimi i tyre me institucionet e tjera dhe autoritetet lokale është një garanci më shumë në ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve të pronës private dhe publike.

105-Vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Shtetit Shqiptar më jep mundësinë të konfirmoj edhe njëherë mbështetjen e palëkundur për zhvillimin dhe modernizimin e tyre.

Ky moment historik më nxit, gjithashtu që të inkurajoj Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe gjithë aktoret e tjerë në vend që të vlerësojnë dhe trajtojnë me kujdes në rritje ushtarakët shqiptarë.

Gëzuar 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!
Lavdi të përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën në emër të Atdheut!

Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë, kudo ku ata shërbejnë në dobi të demokracisë, paqes, sigurisë dhe lirisë.

Ilir Meta
President i Republikës së Shqipërisë

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here